Pallati i Drejtësisë kthehet në “saunë”

0%

Nga: Ardit Kika Shpërndaje në: Nisja e zbatimit të kontratës për furnizim me pjesë e materiale për sistemin e klimatizimit, nuk e ka zgjidhur problemin me temperaturat e larta në Pallatin e Drejtësisë.

Derisa ka pjesë të kompleksit ku temperaturat janë ulur, në hapësira të shumta ato janë rreth 30 gradë Celsius Prej se i janë hapur dyert Pallatit të Drejtësisë në vitin 2014, hapësirat e brendshme kanë qenë të acarta dimrit e kanë ngjarë në sauna ditëve të verës.

Tek tani, ka nisur zbatimi i kontratës së nënshkruar më 17 qershor, për furnizim me pjesë e materiale për sistemin e klimatizimit. Punonjës që kanë zyrat në objektin D të pallatit, kanë thënë se efektet e investimit konform kontratës në vlerë 9.880 euro, janë minimale.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndryshimet vështirë janë të vërejtshme edhe në sallën D17, ku gjatë javës ka qëndruar ekipi i KOHË-s dhe temperatura ishte 29.5 gradë Celsius. Në udhëzimin “Housing and Health Guidelines”, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar që temperatura e punës në zyra të jetë mes 18 e 24 gradë Celsius.

Në Këshillin Gjyqësor kanë shprehën pritjen që temperaturat në ambientet e Pallatit të Drejtësisë të bien në rreth 23 gradë Celsius.

“Bazuar në vlerësimet e teknikëve të angazhuar dhe ndërhyrjeve që po ndërmerren, synimi ynë është që temperatura në të gjitha hapësirat e Pallatit të Drejtësisë të ulet në rreth 23 gradë Celsius, e cila konsiderohet temperaturë optimale për punë dhe për kryerjen e proceseve gjyqësore.

Për ilustrim, sot kemi marrë informacion se në Objektin A të pallatit, temperaturat tashmë kanë zbritur në 24 gradë. Parashikohet që brenda dy deri tri ditëve të ardhshme edhe në objektet e tjera të normalizohet temperatura në nivele të ngjashme për pune”, thuhet në përgjigje.

Në Ministrinë për Digjitalizim dhe Administratë Publike kanë theksuar se kompetencat për klimaizimin e objektit i ka Këshilli Gjyqësor. Memorandumi në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila deri muaj më parë pati nën ombrellë edhe administratën publike, parasheh transferimin te KGJK-ja dhe KPK-ja të 681.350 eurove për mirëmbajtje teknike dhe shërbime komunale.

“Nga data ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës për transferimin e menaxhimit dhe mirëmbajtjes teknike të Pallatit të Drejtësisë.

Rrjedhimisht, menaxhimi dhe mirëmbajtja teknike e objektit, përfshirë sistemin e klimatizimit, trajtohen në përputhje me kompetencat dhe obligimet e përcaktuara me këtë marrëveshje”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike.

E, në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor thuhet se më herët nuk është hapur tender për klimatizim, meqë nuk i është transferuar buxheti konform marrëveshjes me ministrinë. “Arsyeja kryesore për mosrealizimin e këtij tenderi më herët është mungesa e buxhetit.

Pavarësisht kërkesave tona të përsëritura, buxheti i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës në muajin mars edhe pas kërkesave tona, nuk ka parashikuar mjete financiare për mirëmbajtjen e Pallatit të Drejtësisë, as nga Qeveria dhe as nga Kuvendi. Gjendja financiare në të cilën ndodhemi është jashtëzakonisht e vështirë.

Ky problem i ka rrënjët te transferimi i kompetencave për mirëmbajtje teknike të pallatit nga Ministria e Punëve të Brendshme te Këshilli Gjyqësor, i cili u realizua në shtator të vitit të kaluar por pa u shoqëruar me transferimin e buxhetit përkatës për vitin 2026”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Krahas gjykatoreve, në Pallatin e Drejtësisë, gjyqtarët, zyrtarët dhe punëtorët e sigurisë ballafaqohen me temperatura të larta edhe në hapësira të tjera, përfshirë zyrat, recepsionet e korridoret. Në këtë kompleks ndodhet Prokuroria Themelore në Prishtinë, Gjykata Themelore e Prishtinës si dhe Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.

Burimi: Koha