Objekti spitalor në Komunën e Shtërpcës në vlerë prej 1 milion e 647 mijë e 157 euro ishte kompletuar së ndërtuari më 2012, por ende nuk është funksionalizuar. Për këtë objekt, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar dy gjetje në raportin e auditimit për Komunën e Shtërpcës për vitin 2025.
Në gjetjen e parë për këtë objekt, ZKA thotë se pas ndërtimit, objekti është furnizuar me pajisje mjekësore. “Edhe pse objekti spitalor ende nuk është funksionalizuar vlera e tij në regjistrat e pasurisë është zhvlerësuar për 542,189 euro.
Në regjistrin e pasurive të komunës janë të evidentuara edhe katër ndërtesa banimi në vlerë prej 2,709,075 euro të përfunduara për më shumë se 9 vite më parë, të cilat ende nuk janë pranuar teknikisht.” – thuhet në raportin e ZKA-së. Për ndërtesat e banimit, zyrtarët përgjegjës komunal kanë thënë se janë dëmtuar në masë të konsiderueshme dhe janë në gjendje jo funksionale.
“Dobësitë në kontrolle kanë rezultuar me një menaxhim jo efikas të procesit të funksionalizimit të objektiti spitalor i cili përpos që nuk është në funksion konformë dedikimit të tij për kujdesin ndaj komunitetit, është duke shkaktuar kosto vjetore të konsiderueshme për mirëmbajtjen e tij.” – kanë shtuar nga ZKA.
ZKA vlerëson se shpenzimet e larta të ndërtimit të kapaciteteve spitalore, pajisjeve mjekësore si dhe infrastrukturës përcjellëse, përfshirë edhe kostot vjetore të cilat komuna, është duke i paguar çdo vit në mungesë të funksionalizimit dhe përdorimit efektiv të spitalit kanë ndikuar në humbje financiare për komunën si dhe vlerë të munguar për para.
Kurse, në gjetjen e dytë në lidhje me objektin spitalor të Shtërpcës, ZKA thotë se menaxhmenti nuk është duke e trajtuar me kujdes çështjen e pasurive. “Kjo tregon mungesë të theksuar të kontrollit të brendshëm në komunë dhe si rezultat i kësaj gjendja e pasurive në komunë është në nivel të ulët të menaxhimit.” – thonë nga ZKA.
Komuna e Shtërpcës në vitin 2025 ka qenë e udhëhequr nga kryetari Dalibor Jevtiq, kurse pas zgjedhjeve lokale të datës , kryetar është Ivica Tanasijeviq.
ZKA ka rekomanduar që Kryetari duhet të sigurojë se do të angazhohet që sa më shpejt dhe brenda mundësive buxhetore ta funksionalizoj spitalin, dhe paisjet e blera deri më tani të vihen në funksion, po ashtu, të bënë përpjekje që të sigurojë fonde, ashtu që, ndërtesat e banimit social të rinovohen dhe futen sa më shpejt në përdorim.
Nga Komuna e Shtërpcës janë pajtuar me këto dy gjetje të auditorit. Ky raport ka rezultuar me 7 rekomandime. Të gjitha rekomandimet janë të përsëritura. Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare vjetore Komunës së Shtërpcës për vitin 2025.
Sipas ZKA-së, pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Shtërpcës, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik. Raportin e plotë të auditimit të Komunës së Shtërpcës për vitin 2025 mund ta gjeni në këtë LINK .
