Ronaldo Nazario ka zbuluar një episod të panjohur nga eliminimi i Brazilit në çerekfinalen e Kupës së Botës 2006 kundër Francës, duke treguar se i kërkoi Zinedine Zidanit të largohej nga dhoma e zhveshjes së brazilianëve menjëherë pas ndeshjes.
Ish-ylli francez, i cili u shpall lojtari më i mirë i asaj sfide, kishte hyrë në dhomën e zhveshjes së Brazilit për të shkëmbyer fanellat me futbollistët brazilianë. Megjithatë, sipas Ronaldos, atmosfera ishte shumë e rëndë pas eliminimit. “Folëm më pas. Ai erdhi në dhomën tonë të zhveshjes, por atmosfera ishte e tmerrshme, shumë lojtarë po qanin.
Ishim miq dhe ende jemi, por nuk ishte koha e duhur për të shkëmbyer fanella. E përgëzova, por i kërkova të largohej”, deklaroi “Fenomeni” në një intervistë për “L’Équipe”.
