Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq se po ndjek retorikën e ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, duke e lidhur simbolikën e Vidovdanit me politikat nacionaliste të së kaluarës. Sipas Islamit, paralajmërimi i Serbisë për mbajtjen e ushtrimeve ushtarake më 28 qershor përbën provokim të sigurisë dhe presion politik ndaj Kosovës.
Ai theksoi se institucionet e sigurisë në Kosovë janë të përgatitura për çdo skenar, duke nënvizuar se Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë janë në gatishmëri të lartë për të parandaluar çdo provokim apo incident.
Postimi i plotë: Aleksandar Vuçiq, ky imitues i Sllobodan Millosheviqit Tendenca e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të ringjallur simbolikën nacionaliste të Vidovdanit – e ngjashme me propagandën e Sllobodan Millosheviqit në Gazimestan në vitin 1989 – përbën një përpjekje për të ricikluar politikat e vjetra hegjemone që sollën tragjedi në Ballkan.
Paralajmërimi i Serbisë për mbajtjen e ushtrimeve ushtarake pikërisht në këtë datë me peshë historike dhe emocionale nuk është thjesht një koincidencë, por një provokim i hapur i sigurisë dhe një mjet shantazhi politik ndaj Republikës së Kosovës.
Pavarësisht këtyre skenarëve të vjetruar, institucionet e sigurisë në Kosovë janë të konsoliduara dhe plotësisht të përgatitura për të parandaluar çdo lloj provokimi: Policia e Kosovës në çdo 28 qershor rrit praninë dhe monitorimin në zonat e ndjeshme, duke garantuar rendin dhe sundimin e ligjit.
Poashtu Agjencia e Kosovës për Inteligjencë është në gatishmëri të lartë për të identifikuar dhe neutralizuar çdo tendencë për inskenime apo incidente.
