Një kundërsulm vendos gjithçka, Gana rrëmben tri pikët në fund ndaj

0%

Kombëtarja e Ganës e nisi me fitore rrugëtimin në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Panamanë me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e Grupit L. Goli i vetëm i takimit u realizua në minutën e pestë të kohës shtesë, kur Caleb Yirenkyi përfitoi nga një kundërsulm i shpejtë dhe i siguroi tri pikë të arta skuadrës së tij.

Panamaja ishte skuadra më e rrezikshme në pjesën e parë dhe që në minutën e dytë krijoi një rast të shkëlqyer me Waterman, por portieri Lawrence Ati-Zigi reagoi mrekullueshëm. Amerikanolatinët kontrolluan posedimin dhe ritmin e lojës, ndërsa në minutën e 33-të kërkuan edhe një penallti pas rrëzimit të Martinezit në zonë, por gjyqtari nuk akordoi asgjë.

Pak para pushimit, Zigi pësoi një lëndim në kofshë dhe u detyrua të largohej, me Asare që zuri vendin e tij në portë. Në pjesën e dytë, Gana u shfaq më e rrezikshme. Adjetey rrezikoi me kokë, ndërsa Panamaja humbi rastin më të mirë të ndeshjes në minutën e 60-të me Martinezin, i cili nuk arriti të gjejë rrjetën nga një pozitë ideale.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në vazhdim, Jordan Ayew ishte pranë golit për Ganën, por mbrojtësi Ramos ndërhyri në momentin e fundit dhe largoi rrezikun. Më pas, i njëjti lojtar i Panamasë krijoi një rast të mirë në anën tjetër, por gjuajtja e tij përfundoi pranë shtyllës. Kur dukej se ndeshja do të mbyllej pa gola, Gana goditi në kohën shtesë.

Në minutën e 95-të, Brandon Thomas-Asante depërtoi nga krahu i majtë dhe pasoi në shtyllën e dytë, ku Caleb Yirenkyi nuk e pati të vështirë të dërgonte topin në rrjetën e zbrazët për 1-0. Panamaja u hodh menjëherë në sulm dhe ishte pranë barazimit në sekondat e fundit, por goditja me kokë pas një tollovie në zonë nuk gjeti kuadratin.

Pas vërshëllimës së fundit pati edhe tensione mes lojtarëve të të dyja skuadrave, duke i dhënë fund një ndeshjeje dramatike. Me këtë fitore, Gana siguron tri pikët e para në Grupin L, ndërsa Panamaja mbetet pa pikë pavarësisht paraqitjes së mirë.

Burimi: Telegrafi