Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ka nisur zyrtarisht pranimi i mbeturinave nga qytetarët në katër deponitë sanitare të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK).
Sipas saj, qytetarët tashmë mund t’i dërgojnë mbeturinat në deponitë sanitare të Mirashit, Landovicës, Velekincës dhe Dumnicës, duke pasur në dispozicion një hapësirë të ligjshme dhe të sigurt për depozitimin e tyre. Pacolli bëri të ditur se deponitë do të jenë të hapura çdo të shtunë, nga ora deri në , për pranimin e mbeturinave nga qytetarët.
Ministrja theksoi se me këtë shërbim nuk duhet të ketë më arsye apo justifikim për hedhjen e mbeturinave në natyrë ose në deponi ilegale. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi, duke theksuar se përgjegjësia për një Kosovë më të pastër dhe më të gjelbër është e përbashkët.
“Të gjithë kemi për detyrë që ambientin ta ruajmë e Kosovën tonë ta bëjmë të pastër e të gjelbër” , ka shkruar Pacolli në njoftimin e saj.
