Shënime nga ecjet në Zvicër (1). Kurrë s’është e tepërt të lavdërohet transporti publik i Zvicrës. Kushton një dreq e gjysmë, por kushtet e udhëtimit i afrohen parajsës. Brenda tri orëve, nganjëherë më pak se tri orë duhen për të shkuar nga një cep tjetër i Zvicrës në cepin tjetër. Për shembull nga Zürichu në Vevey, në Zvicrën franceze, buzë Liqenit të Gjenevës.
Nga këtu një shteg të shpie bregut të liqenit deri në fshatin Villeneuve. (Rreth 14 kilometra, ecje me nge, nja 4 orë). Vevey arriti kulmin e zhvillimit dhe popullaritetit gjatë Belle Époque në fund të shekullit të 19-të. Hotelet madhështore, promenada buzë liqenit, palmat dhe lulet bien menjëherë në sy, edhe sot. Klima këtu është jashtëzakonisht e butë, pothuaj mesdhetare.
Këtu është selia e koncernit botëror të artikujeve ushqimorë Nestlé. Vevey është shumë krenar për lidhjen me aktorin e famshëm Charlie Chaplin, i cili jetoi këtu nga viti 1952 deri në vdekjen e tij në 1977. Një muze dhe një përmendore pranë liqenit janë dëshmi e pranisë së Chaplinit. Gjatë një udhëtimi në Londër në vitin 1952, Chaplin mësoi se atij i ishte mohuar kthimi në SHBA.
Drejtori i FBI-së, J. Edgar Hoover, e kishte vendosur atë, një britanik që kishte lavdëruar angazhimin e Rusisë kundër Hitlerit, në listën e tij të komunistëve. Në atë kohë senatori amerikan Joseph McCarthy zhvillonte një gjueti shtrigash kundër artistëve që i konsideronte të majtë. Chaplin vendosi të shpërngulej në Zvicër me gruan e tij Oona.
Në Vevey ky çift jetoi me tetë fëmijët e tyre të përbashkët. Në këtë pjesë të rivierës së liqenit të Gjenevës kanë jetuar e lënë gjurmë edhe artistë të tjerë. Në Montreux vizitorët i përshëndet një përmendore e këngëtarit të famshëm Freddie Mercury (1946-1991). “Nëse dëshiron paqe mendore, eja në Montreux”, është një porosi e tij.
Mercury jo vetëm që jetoi këtu, por gjithashtu regjistroi gjashtë nga albumet e tij me grupin Queen, përfshirë “Made in Heaven”. Statuja u ngrit në kujtim të tij në vitin 1996. Ajo është lehtësisht e dallueshme nga lulet që adhuruesit e tij ende vendosin aty. Më 1961 në Montreux erdhi Vlladimir Nabokovi, shkrimtari i njohur rus, autor i romanit “Lolita”.
Nabokovi nuk erdhi nga Bashkimi Sovjetik, por nga SHBA-të, ku kishte ligjëruar 20 vjet dhe kishte fituar mjaft para me romanin e tij “Lolita”, saqë mund t’ia lejonte vetes një jetë në Montreux. Para tij rajonin e Liqenit të Gjenevës e kishin vizituar shkrimtarë të famshëm rusë si Nikollai Gogol, Fjodor Dostojevski dhe Lev Tolstoi. Nabokovi e adhuronte luksin.
Vitet e tij në rivierën zvicerane i kaloi në një suitë në “Hotel Montreux Palace”. Në kohën e lirë zinte flutura. Kompozitori rus Igor Stravinski erdhi pranë liqenit të Gjenevës për arsye shëndetësore. Ai kompozoi këtu disa nga kryeveprat e tij, dhe sot auditori në Qendrën e Kongreseve në Montreaux mban emrin e tij.
Shkrimtari dhe gazetari anglez Graham Greene erdhi në këtë pjesë të Zvicrës në vitin 1953 për të vizituar Charlie Chaplinin në Corsier-sur-Vevey, e më vonë vajzën e tij në Chaulin-sur-Montreux. Më 1990, pak para vdekjes, Graham Greene u shpërngul përfundimisht në Corseaux afër Vevey. Ky tekst nuk duhet të përfundojë pa dy detaje që lidhen me shqiptarët.
Rrugës nga Vevey në Villeneuve, afër Montreux, gjendet Kalaja Chillon, e vendosur në bregun e liqenit. Ajo është monumenti më i vizituar në Zvicër. Një pjesë të madhe të famës së saj ajo ia detyron poemës së Lord Byronit “I burgosuri i Chillonit”.
Po, bëhet fjalë për atë Byronin e famshëm nga Anglia që ka bredhur edhe viseve shqiptare, ka shkruar poezi e poema, ka pozuar me veshje kombëtare shqiptare dhe e ka vizituar Ali Pashë Tepelenën. Në Vevey, Montreux dhe Villeneuve ka jetuar edhe piktori i madh austriak Oskar Kokoschka (1886-1980).
Ai kishte lidhje me avangardën artistike të Berlinit para se të bëhej figurë qendrore e ekspresionizmit. Kokoschka u vendos në vitin 1953 në Villa Delphin në Villeneuve dhe jetoi aty me gruan e tij Olda deri kur vdiq më 1980 në spitalin e Montreux. Më 1939 Kokoschka takoi në Londër piktorin shqiptar Çatin Saraçi.
Ata u bënë miq të mëdhenj, ndanë një studio në Kensington në Stratford Road, punuan së bashku. Oskar Kokoschka ishte adhurues i punës së Çatin Saraçii, i cili ishte lindur në Shkodër. Dëshmi e miqësisë së tyre është edhe një portret i Saraçit i punuar nga Kokoschka.
