Fenomeni i “unazave të divorcit” po përhapet në mbarë botën, me gra që përdorin bizhuteritë për të shënuar një kapitull të ri në jetën e tyre. Meqë unazat e vjetra zakonisht rishiten për vetëm rreth 30 për qind të vlerës fillestare, shumë gra zgjedhin t’u japin atyre një kuptim të ri. Sipas ekspertëve, këto unaza simbolizojnë edhe pavarësinë financiare pas ndarjes.
Pas një divorci, një blerje e tillë mund të jetë një nga vendimet e para të mëdha financiare që një grua merr vetëm për veten, pa pasur nevojë për miratimin e dikujt tjetër. Deb vendosi që diamantin e unazës së fejesës ta shndërronte në një unazë divorci, duke shtuar një safir që simbolizon vajzën e saj.
Krijimi i kushtoi 3 mijë dollarë, shkruan transmetuesi britanik BBC, transmeton KosovaPress. Pasi u deklarua si homoseksuale, Alex Proie nga Pensilvania e shndërroi unazën e saj të përvjetorit të pestë, të bërë nga ari dhe diamantet e vjetra, në një unazë divorci. Ajo thotë se ai ishte pjesë e rëndësishme e viteve të saj të formimit dhe se donte ta mbante atë kujtim.
Unaza me shtatë diamante të vegjël dhe dizajn në formë vale simbolizon uljet dhe ngritjet e jetës. Për të, ajo është një kujtesë e mënyrës se si rindërtoi jetën pas divorcit. Edhe në gishtin e Deb Marino-s shkëlqejnë diamante, të vendosura në një unazë ari që bie në sy. “Sigurisht që është unazë për gishtin e mesëm, pse jo? ”, thotë blogerja nga Florida.
Pas divorcit, 34-vjeçarja nuk deshi ta hiqte apo ta mbyllte në një kuti unazën e fejesës, pasi martesa i kishte sjellë vajzën e saj. “Diamantet janë të çmuara”, thotë ajo.
