Në 31-vjetorin e themelimit të gazetës “Bota Sot”, vëmendja rikthehet te roli dhe kontributi i saj në dokumentimin e ngjarjeve të rëndësishme kombëtare dhe shoqërore të shqiptarëve.
E themeluar në një periudhë të vështirë për Kosovën, kur shqiptarët përballeshin me okupimin serb dhe mungesën e lirisë së informimit, “Bota Sot” u shndërrua në një burim të rëndësishëm informacioni dhe një arkiv të gjallë të zhvillimeve politike, historike dhe kombëtare.
Përmes raportimeve, analizave dhe dëshmive të kohës, gazeta ka kontribuar në ruajtjen e kujtesës kolektive, duke lënë gjurmë të rëndësishme për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.
Gjatë më shumë se tri dekadave, “Bota Sot” ka pasqyruar periudha vendimtare për shqiptarët, duke filluar nga vitet e rezistencës paqësore, lufta për çlirim, shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe zhvillimet e mëvonshme politike e shoqërore.
Në këtë rrugëtim, ajo ka shërbyer jo vetëm si medium informues, por edhe si dëshmi e shkruar e ngjarjeve dhe proceseve që kanë formësuar historinë moderne të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Mehazi: Sot e kësaj dite ‘Bota Sot’ është burim i rëndësishëm i ngjarjeve kombëtare, politike e kulturore Bashkëpunëtori i gazetës “Bota Sot”, Sulejman Mehazi, ka vlerësuar rolin e kësaj gazete në 31 vitet e ekzistencës së saj, duke theksuar se ajo ka qenë dëshmi e rëndësishme e ngjarjeve historike, politike dhe kulturore të shqiptarëve.
Sulejman Mehazi Sipas tij, “Bota Sot” ka kontribuar në ruajtjen e kujtesës kolektive, ka nxitur debate publike mbi çështje kombëtare dhe vazhdon të mbetet një burim i rëndësishëm informacioni në hapësirën mediatike shqiptare. Mehazi i uroi gazetës suksese dhe jetëgjatësi të mëtejshme.
“Që nga themelimi më e deri më sot, kontributi i ‘Bota Sot’ ka luajtur rol në ruajtjen e kujtesës kolektive të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Gazeta ‘Bota Sot’ është dëshmi e gjallë, e saktë dhe e qartë e ngjarjeve historike 31-vjeçare në Kosovë, rajon dhe botë. ‘Bota Sot’ ka nxitur debate publike mbi çështje të rëndësishme kombëtare, duke kontribuar në formimin e opinionit publik. Sot e kësaj dite ‘Bota Sot’ është burim i rëndësishëm i ngjarjeve kombëtare, politike e kulturore me ndikim në hapësirën mediatike shqiptare.
Gazetës mbarëkombëtare ‘Bota Sot’ i dëshirojmë suksese dhe jetëgjatësi mediatike!”, thotë ai. Mehmeti: Në 31-vjetorin e saj, roli i saj ka evoluar nga media informuese në një aktor me ndikim në debatet publike Edhe bashkëpunëtori tjetër i “Bota Sot”, Gani Mehmeti, vlerëson se gazeta që nga themelimi më ka qenë një ndër gazetat më jetëgjata në Kosovë, duke pasqyruar zhvillimet kryesore politike, shoqërore e kombëtare.
Gani Mehmeti Sipas tij, gazeta vazhdon misionin informues edhe në format elektronik, duke kontribuar në debatet publike, dokumentimin e historisë dhe ruajtjen e kujtesës kolektive të shqiptarëve.
“Si një nga gazetat me jetëgjatësinë më të madhe në hapësirën mediatike shqiptare në Kosovë, ‘Bota Sot’ që nga 26 qershori 1995 ka ndjekur dhe pasqyruar zhvillime të rëndësishme politike, shoqërore dhe kombëtare për më shumë se tridhjetë vite. Ka pasur gazeta më të hershme, siç ishte gazeta ‘Bujku’, por ato u ndërprenë së botuari pas luftës.
Gazeta ‘Bota Sot’ vazhdon me informim edhe sot e kësaj dite, edhe pse në mënyrë elektronike. Ajo informon për jetën politike aktuale, jetën kulturore, historike, si dhe informimin kombëtar e ndërkombëtar. Është e pasur me opinione e analiza të ndryshme, që u japin mundësi të interesuarve të trajtojnë tema të ndryshme.
Sot, në 31-vjetorin e saj, roli i saj ka evoluar nga media informuese në një aktor me ndikim në debatet publike dhe në dokumentimin e ngjarjeve historike, duke u marrë edhe me zhvillimet brenda dhe jashtë vendit.
Kontributi i saj në ruajtjen e kujtesës kolektive të shqiptarëve gjatë periudhave të ndryshme historike është shumë i pranishëm, siç jepet përmes rubrikave të ndryshme, duke përfshirë edhe vende të veçanta që kanë zgjuar interes të madh të lexuesve dhe gazetarëve bashkëpunëtorë, të cilët e bëjnë më të pasur gazetën dhe shtojnë kureshtjen e lexuesve”, thotë ai.
Mehmeti kujton se viti 1995 ishte periudhë e territ informativ në Kosovë, pas mbylljes së mediave shqiptare nga regjimi serb. Ai thekson se pas shuarjes së “Rilindjes”, gazetat shqipe u bënë zë i rezistencës kombëtare, ndërsa “Bota Sot”, e themeluar më 1995, u shndërrua në një nga mediat më të fuqishme shqiptare, duke vazhduar veprimtarinë e saj edhe sot në format elektronik.
“Viti 1995 na kujton terrin informativ në Republikën e Kosovës. Ky terr kishte filluar pas Shpalljes së Deklaratës Kushtetuese nga deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, para dyerve të mbyllura të Kuvendit, pasi nuk lejoheshin të hynin brenda në sallë.
Deputetët shqiptarë, të rrethuar nga policë serbë dhe tanke, shpallën Deklaratën Kushtetuese më , e cila e shpalli Kosovën Republikë të shtatë të Jugosllavisë, ose republikë më vete në rast shpërbërjeje të Jugosllavisë. Kjo varej nga qëndrimet e republikave të tjera të Jugosllavisë.
Serbia, duke menduar se Kosovën do ta mbante të pushtuar, hyri në luftë me Slloveninë, e cila u nda pas vetëm 9 ditësh luftë. Sllovenia e kishte më të lehtë, sepse përveç ushtarakëve në armatën jugosllave, kishte organizuar Mbrojtjen Territoriale dhe ishte përgatitur më herët për luftë.
Ne ishim zhveshur tërësisht nga armatimi; policia ishte larguar nga puna, ndërsa mbrojtja territoriale ishte shuar në Kosovë. “Rilindja” nuk dilte më nga gushti i vitit 1990, ndërsa edhe mediat televizive dhe radio kishin kaluar në duart e pushtuesit serb. Me Kosovën, Serbia kishte ndërprerë edhe lidhjet telefonike në vitin 1992 me të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë.
Pas mbylljes së gazetës së vetme ditore shqipe “Rilindja”, në fillim të vitit 1991 kishte dalë gazeta e përditshme “Bujku”, gazetë e rezistencës dhe pjesë e lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi dhe demokraci. Gazeta “Bota Sot” doli më vonë, por u tregua e fortë dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite, tani vetëm në formën elektronike” , shpjegon Mehmeti.
Në fund, ai vlerëson se “Bota Sot” ka luajtur rol të rëndësishëm gjatë okupimit serb dhe pasluftës, duke mbështetur Lidhjen Demokratike të Kosovës, presidentin historik Ibrahim Rugova dhe çështjen kombëtare. Sipas tij, gazeta ka qenë e afërt me lexuesit, veçanërisht me anëtarësinë e LDK-së, sidomos në periudhën kur partia udhëhiqej nga Rugova.
“Gazeta ‘Bota Sot’ është ndër gazetat e para në gjuhën shqipe që ka nisur të botohet në diasporë gjatë kohës së okupimit serb në Kosovë. Kjo gazetë bëri një punë të madhe gjatë okupimit dhe deri në çlirimin e vendit. Ajo ishte mbështetëse e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Dr. Ibrahim Rugovës gjatë gjithë kohës, duke pasqyruar realitetin e Kosovës në çdo periudhë.
Gazeta ‘Bota Sot’ ka qenë gjithmonë krah i fortë i presidentit historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, bashkëpunëtorëve të tij, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga dalja e saj në skenë.
“Bota Sot”, me rubrikat e saj, e ka bërë gjithmonë më tërheqës leximin për lexuesit, veçanërisht për anëtarët e LDK-së gjatë kohës kur ajo ishte rugoviste, dhe disa vite edhe pas vdekjes së prijësit të saj, Dr. Ibrahim Rugovës” , përfundon ai për “Bota Sot”.
