Ylli brazilian Neymar ka përjetuar emocione të forta në rikthimin e tij te kombëtarja e Brazilit, pas një mungese prej 981 ditësh nga futbolli ndërkombëtar për shkak të dëmtimit të rëndë në gju.
Sulmuesi u aktivizua në pjesën e dytë të fitores 3-0 të Brazilit ndaj Skocisë, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë rikuperimi që e kishte mbajtur larg fanellës verdhejeshile që nga tetori i vitit 2023. Neymar, i cili nisi ndeshjen nga stoli, u inkuadrua rreth 30 minuta para fundit të takimit dhe pranoi se momenti i rikthimit ishte i mbushur me emocione dhe nervozizëm.
“Zemra më rrihte fort, isha shumë nervoz, por edhe shumë i lumtur,” tha ai pas ndeshjes, duke shtuar se ishte krenar që u rikthye pa probleme. Ai theksoi se periudha jashtë fushës ishte e vështirë, por se ka punuar intensivisht në stërvitje për t’u rikthyer në formë optimale dhe për të qenë i gatshëm për ndeshjet e kombëtares.
Fitorja 3-0 i siguroi Brazilit kualifikimin në fazën eliminatore me moral të lartë, ndërsa rikthimi i Neymarit u konsiderua një shtysë e rëndësishme për skuadrën në vazhdim të turneut. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
