Mbi 150 aksidente në rajonin e Ferizajt gjatë qershorit, Policia

0%

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se gjatë muajit qershor 2026 në rajonin që përfshin komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit janë regjistruar gjithsej 154 aksidente të trafikut, duke shënuar një rënie krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të policisë, nga numri i përgjithshëm i aksidenteve të regjistruara gjatë muajit qershor, 79 kanë qenë me lëndime trupore, ku janë lënduar 125 persona, ndërsa 75 aksidente kanë shkaktuar vetëm dëme materiale. Për dallim nga qershori i vitit 2025, kur ishin regjistruar gjithsej 196 aksidente trafiku, këtë vit është shënuar një rënie prej 21.4 për qind.

Gjatë qershorit të vitit të kaluar, sipas policisë, ishin regjistruar tre aksidente me fatalitet, ku kishin humbur jetën tre persona, 88 aksidente me lëndime me gjithsej 126 persona të lënduar, si dhe 105 aksidente me dëme materiale. Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar gjithashtu se gjatë muajit qershor 2026 janë shqiptuar 5.522 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Policia rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 5.522 gjoba për kundërvajtje të ndryshme dhe ka hequr 93 patentë shoferë për drejtuesit e automjeteve që kanë kryer shkelje të rënda, ku parashihet masa mbrojtëse e heqjes së patentë shoferit”, thuhet në njoftim. Sipas policisë, krahasuar me muajin qershor të vitit 2025, kur ishin shqiptuar 5.847 gjoba, është shënuar një ulje prej 5.54 për qind.

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara në terren me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion dhe ka apeluar te shoferët që të respektojnë rregullat e trafikut.

“Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelon tek shoferët që të jenë të kujdesshëm, të respektojnë shenjat dhe rregullat e komunikacionit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, policia ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të raportojnë çdo kundërvajtje në komunikacion përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit “Lajmëro Policinë” apo numrave kujdestarë. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi