Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se deri në vitin 2029 Ushtria e Kosovës pritet të jetë e gatshme për mbrojtjen e territorit. Ai tha se vendi ndodhet në një fazë tranzicioni dhjetëvjeçar, i cili sipas planifikimeve përfundon në vitin 2028.
Maqedonci theksoi se gjatë kësaj periudhe janë tejkaluar disa objektiva të parashikuara, si në aspektin e sasisë së pajisjeve ushtarake, ashtu edhe në llojet e armatimit. “Është aprovuar më nga Kuvendi. Gjatë kësaj faze kemi pasur një plan tranzicioni dhe tash jemi në përfundim të tij, i cili parashihet të mbyllet në vitin 2028.
Investimet që kemi pasur kanë bërë që të tejkalojmë shumë nga objektivat, si në aspektin e pajisjeve, jo vetëm në sasi por edhe në llojet e armatimit, pasi kemi qenë të kufizuar në atë plan,” ka thënë Maqedonci. Ai shtoi se vendi është në fazën përmbyllëse të ndërtimit të kapaciteteve operacionale dhe se objektivi është që në vitin 2029 të arrihet gatishmëria e plotë.
“Jemi në fund të procesit për arritjen e kapaciteteve operacionale. Ne planifikojmë që në vitin 2029 të kemi një forcë të gatshme për mbrojtjen e territorit, për mbështetjen e autoriteteve civile dhe për pjesëmarrje në misione ndërkombëtare”, ka deklaruar ai në një intervistë për Euronews Albania.
