​Maqedonci: Kosovës i duhet stabilitet politik, presidenti të jetë

0%

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar se Kosovës i nevojitet stabilitet politik për shkak të sfidave të brendshme dhe zhvillimeve në fushën e sigurisë në nivel rajonal e ndërkombëtar.

Maqedonci është shprehur se ekzistojnë numrat për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por ka theksuar se dialogu me opozitën synon të shmangë bllokadat institucionale të përjetuara në të kaluarën.

Sa i përket postit të presidentit, ai është shprehur në favor të zgjedhjes së një figure konsensuale, duke vlerësuar se presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e qytetarëve dhe të jetë i pranueshëm për një spektër sa më të gjerë politik. “Unë besoj që stabiliteti politik është i domosdoshëm për vendin tonë. Jo vetëm për nevojën që e ka vendi ynë si vend, si shtet.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Mirëpo edhe për shkak të rrethanave ndërkombëtare, për shkak të sfidave me të cilat po ballafaqohet bota dhe regjioni në aspektin e sigurisë, për shkak të ndryshimeve në ambientin pra global të sigurisë, por edhe të raporteve ndërkombëtare. Po është edhe e nevojshme normalisht para së gjithash për funksionalitetin e shtetit, për funksionimin e institucioneve”, tha ai.

Duke folur për përpjekjet për formimin e institucioneve të reja, Maqedonci tha se lideri i LVV-së, Albin Kurti, është i angazhuar për të gjetur një zgjidhje lidhur me zgjedhjen e presidentit, duke nënvizuar se kjo nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese.

“Unë besoj që kryeministri Kurti e ka dëshmuar edhe në të kaluarën dhe po e dëshmon edhe tani sidomos gjatë këtyre ditëve, me angazhimin e tij për të gjetur zgjidhje për çështjen e presidentit. Edhe pse çështja e presidentit e ka thënë edhe ai në deklaratat e tij, nuk është çështje që i përket vetëm partisë fituese, pra çështja e presidentit…

Kjo është edhe arsyeja pse kryeministri Kurti ka qenë i pari që i ka ftuar në takim për këtë çështje partitë opozitare. Normalisht që detyrim, obligim kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje është konstituimi i kuvendit dhe votimi pra funksionalizimi i qeverisë, sepse si parti e parë e ka obligim kushtetues që të drejtojë…

Po, numrat për qeverinë normalisht edhe për kryetarin e Kuvendit janë, edhe mund të bëhen. Mirëpo e tha edhe kryeministri gjatë prezantimit të tij para mediave, që me qëllim që të mos kemi ngecje si herën e kaluar, ai ka filluar tashmë me takimet me liderët e partive opozitare”, tha ai.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që presidenti i ardhshëm të ketë edhe prapavijë ushtarake, por ka nënvizuar se kriteri më i rëndësishëm mbetet që ai ose ajo të jetë figurë konsensuale dhe të mos bëhet pjesë e përplasjeve të përditshme politike.

“Unë besoj që zgjidhja më e mirë është që të kemi një president konsensual, sepse presidenti, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës është institucion shtetëror, pra është institucion që duhet të prezantojë unitetin e popullit…në asnjë rast kryeministri nuk ka, nuk insiston që të kemi një president nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kandidatët që kanë dalë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë dalë sepse ka qenë e pamundur që të gjendet për shkak të mungesës së bashkëpunimit mes partive politike…. Nuk e përjashtoj mundësinë që të jetë edhe nga kjo fushë(prapavijë ushtarake).

Po unë vlerësoj që është shumë e rëndësishme që të jetë konsensual, që të jetë i pranueshëm pra edhe të mos jetë pjesë e këtyre fërkimeve që i kemi të përditshme politike në mes të liderëve apo mund të themi zyrtarëve të partive politike”, tha ai. /Kp

Burimi: Telegrafi