Mjafton vetëm një lot për të treguar atë që mijëra fjalë nuk arrijnë ta thonë. Një lot i tillë, i fiksuar në fytyrën e një burri të moshuar që shoqëronte protestën, u bë i dukshëm për gjithë Shqipërinë përmes rrjeteve sociale, në ditën e 30-të të një proteste mbarëpopullore dhe mbarëkomnmbëtare. Ai burrë, padyshim, nuk ishte një figurë e njohur dhe nuk mbante asnjë post publik.
Nuk kishte mikrofon në dorë dhe nuk kërkonte vëmendjen e askujt. Nuk priste gjithashtu as duartrokitje dhe as lavdi, siç rendin pas tyre shumë personazhe të çuditshëm me nofkën “influencier” apo shërbestarë medial pushtetesh, që këto javë të nxehta protestash legjitime janë vënë të gjithë në një start dhe kanë pushtuar ekranet e blera.
Ai është vetëm një qytetar krejt i zakonshëm dhe normal, që jeton i shqetësuar dhe i pasigurtë në një vend të pazakonshëm dhe aspak normal. Është një shqiptar mes qindra mijëra shqiptarëve të tjerë që ndjehen të dëshpëruar si ai, të huaj në vendin ku kanë lindur dhe që duan të jetojnë të qetë dhe në normalitet.
E, pikërisht në atë çast, ai u bë zëri më i fuqishëm i asaj mbrëmjeje, pa shqiptuar asnjë fjalë. Rreth tij ushtonin brohoritjet frenetike të protestuesve. Studentët dhe qytetarët kishin ngritur sërish banderolën gjigande me mesazhin: “Ju erdhi fundi. Shqipëria nuk është në shitje.” Të gjithë protestuesit duartrokitnin këtë gjest simbolik. Disa buzëqeshnin.
Të tjerë thërrisnin dhe brohorritnin me forcën e avocioneve që paralajmërojnë agimet më të bukura të një Shqipërie të munguar…. Por ai burrë i moshuar vetëm ngashërehej me dënesë, ngase fuqia e tij e vetme ishte deri këtu: të qante dhe të derdhte përmes lotëve një pjesëz nga lumejtë që përbëjnë lumin e madh të zëmëratës së një kombi të tërë..
Dhe në ato lot kishte më shumë histori sesa në shumë libra. Lotët e atij të moshuari nuk janë vetëm rrëkeza që rrjedhin nga sytë e tulatura prej trishtimit dhe revolta kundër të gjitha padrejtësive sociale, por janë vitet që nuk flasin dot ndryshe, janë kujtime të grumbulluara si unazat në trungun e një peme të vjetër.
Janë plagë që koha nuk i ka mbyllur plotësisht, por edhe ëndrra që kanë refuzuar të vdesin. Askush nuk e di çfarë po kalonte ato çaste në mendjen e tij. Ndoshta po kujtonte rininë e vet, kur edhe ai besonte se mund ta ndryshonte botën.
Ndoshta po mendonte për shokët që nuk jetojnë më, për ata që u larguan nga kjo jetë me shpresën se Shqipëria do të bëhej një ditë më e mirë, më e dhembshur, me e dashur dhe me e drejtë me të gjithë.
Ndoshta po mendonte për fëmijët, nipërit dhe mbesat e tij, që mund të kenë marrë rrugën e mërgimit, jo nga mungesa e dashurisë për këtë vend, por sepse nuk arritën të gjenin vendin që u takonte në të. Ndoshta nuk mendonte për asgjë të veçantë, ngase zemra e tij thjesht nuk mund ta mbante më peshën e dhimbjes prej emocioneve.
Ka emocione që nuk shprehen me fjalë por që shpërthejnë vetëm në heshtje. Dhe heshtja, kur është e mbushur me të vërtetën, bëhet më e fortë se çdo britmë. Në fytyrën e atij burri të moshuar mund të lexoje rrugëtimin e Shqipërisë së këtyre dekadave të vështira për vitet e pritjes, të sakrificës, të zhgënjimeve të njëpasnjëshme, të premtimeve që u tretën si mjegulla e mëngjesit.
Mund të lexoje fytyrën e qindra mijëra prindërve dhe gjyshërve që panë fëmijët të largoheshin me një valixhe në dorë dhe me një premtim në buzë: “Do të kthehem.” Por sa prej tyre u kthyen? Sa prindër vazhdojnë të numërojnë vitet duke pritur një telefonatë, një përqafim, një rikthim?
Shqipëria moderne nuk është ndërtuar vetëm mbi rrugë e autostrada, ura dhe ndërtesa të larta, por më së shumti mbi mungesat. Mbi shtëpitë e mbetura bosh dhe dritaret që hapen çdo mëngjes nga pleq të vetmuar që presin dikë të trokasë. Mbi sofrat ku vendet bosh janë kthyer në rituale pezmi të zakonshme në shumë vatra të familjeve shqiptare. Kjo është drama e heshtur e një kombi.
Dhe pikërisht për këtë arsye, lotët e atij burri nuk ishin thjesht lotët e një njeriu. Ata u shndërruan në zërin e pazë të të gjithë atyre që nuk kanë më forcë të bërtasin, por ende nuk e kanë humbur besimin. Ishin lotët e Shqipërisë së vërtetë. Sepse njeriu qan vetëm për atë që e do dhe askush nuk derdh lot për atë që i është bërë i huaj.
Kur një njeri qan për vendin e tij, ai nuk qan vetëm për të shkuarën, por edhe nga frika se mos humbet e ardhmja. Në të njëjtën kohë, ai po dëshmon se ende beson se ajo e ardhme mund të shpëtohet. Ky është paradoksi i lotit. Ai lind nga dhimbja, por ushqehet nga shpresa. Po të mos kishte më shpresë, nuk do të kishte më lot. Do të kishte vetëm indiferencë.
Dhe indiferenca është varri më i ftohtë ku mund të përfundojë një komb. Ndoshta pikërisht kjo e bënte aq të fuqishëm atë moment. Përballë një bote që është mësuar të çmoj gjithçka me statistika, sondazhe dhe numra, një burrë i moshuar na kujtoi se ka ende një gjuhë që nuk mund të manipulohet. Është gjuha e lotit. Ajo nuk njeh propagandë dhe as mashtrim.
Nuk njeh interes, por vetëm të vërtetën e zemrës njerëzore. Kur një lot takohet me shpresën e një brezi të ri, lind diçka që asnjë pushtet nuk mund ta blejë, ta tjetërsojë apo ta shuajë: lind ndërgjegjja qytetare dhe zgjohet vetëdija, e mpirë prej një gjumi të gjatë letargjik, të ushqyer për vite me radhë nga propaganda e një pushteti arrogant, të korruptuar dhe të padhembshur.
Sepse ka çaste kur një lot vlen më shumë se një mijë fjalime, ndërsa shpresa e një brezi bëhet forca që zgjon një komb. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse ai burrë qante, sepse, për herë të parë pas shumë kohësh, nuk ndihej i vetëm. Përballë tij ishte rinia, lokomotiva e uraganit popullor që nuk di të ndalet.
Dhe në sytë e saj ai pa atë që kishte pritur përgjatë gjithë jetës: jo mrekullinë, por guximin që do të sjell ndryshimin e vërtetë. Ka breza që lindin në kohë të qeta dhe të tjerë breza që lindin për të mbajtur mbi shpinë barrën e historisë. Brezi i atij burri i përkiste të dytëve. Është brezi që mësoi shumë herët se jeta nuk të pyet nëse je gati.
Se njeriu shpesh detyrohet të ecë përpara edhe kur këmbët i dridhen, edhe kur zemra i është mbushur me plagë. Është brezi që nuk pati luksin të ëndërronte gjatë, sepse realiteti i trokiste çdo ditë në derë me fytyrën e vështirësive. Ata u rritën me bindjen se Shqipëria ishte më shumë sesa një copë tokë.
Ishte identitet, familje, amaneti i të parëve, vendi për të cilin duhej të punoje, të sakrifikoje dhe, nëse vinte dita, edhe të vuaje. Shumë prej tyre nuk patën pasuri dhe as privilegje. Nuk patën jetë të lehtë, por patën një pasuri që askush nuk mund t’ua merrte: shpresën dhe besimin se një ditë fëmijët e tyre do të jetonin më mirë.
Ky ka qenë besimi që ka mbajtur gjallë familjen shqiptare për dekada të tëra. Çdo prind ka sakrifikuar diçka nga vetja që fëmija të kishte më shumë mundësi. Çdo nënë ka fshehur lodhjen pas buzëqeshjes. Çdo baba ka gëlltitur heshtjen që të mos rëndonte zemrat e të vegjëlve. Ata nuk kërkonin mrekulli, por vetëm drejtësi, meritokraci dhe dinjitet. Nuk kërkonin privilegje.
Kërkonin vetëm që djersa të çmohej më shumë se lidhjet nepotike me pushtetin, ndershmëria më shumë se mashtrimi dhe puna më shumë se servilizmi. Por vitet kalonin, dhe bashkë me to veniteshin edhe shpresat. Shumë ëndrra mbetën përgjysmë. Shumë premtime u tretën përpara se të bëheshin realitet. Shumë njerëz filluan të largoheshin. Në fillim iknin një ose dy nga lagjja. Pastaj një familje.
Pastaj një rrugë dhe një lagje e tërë….Pastaj një qytet. Dhe një ditë Shqipëria nisi të zbrazej dhe të mësohej me mungesën e njerëzve – bijëve dhe bijave të saj. Me mungesën e zërave të fëmijëve nëpër oborre. Me mungesën e dritave në shumë shtëpi. Me mungesën e përqafimeve në festa, të atyre që u larguan me shpresën se do të ktheheshin shpejt.
Sa nëna kanë fjetur me telefonin pranë jastëkut, duke pritur një telefonatë nga djali apo vajza që jetojnë mijëra kilometra larg? Sa baballarë kanë heshtur përballë tavolinave gjysmë të zbrazëta, duke mos e treguar kurrë mallin që u digjte kraharorin? Ka një dhimbje që nuk shfaqet në statistika: eshtë dhimbja e viteve dhe dekadave të pritjes.
Ato pritje qe nuk bëjnë zhurmë dhe nuk dalin në kronikat e lajmeve, por gërryejnë pak nga pak shpirtin e një populli. Megjithatë, ky brez nuk u dorëzua. Edhe kur u zhgënjye, nuk pushoi së shpresuari. Edhe kur u mashtrua, nuk pushoi së besuari. Edhe kur pa padrejtësi, nuk pushoi së ëndërruari për një Shqipëri më të mirë. Ndoshta kjo është forca më e madhe e brezit të vjetër shqiptar.
Ai nuk u bë cinik. Nuk u bë hakmarrës. Nuk humbi aftësinë për të besuar te brezi që po vinte pas, sepse çdo gjysh që shikon nipin në sy, nuk sheh vetëm një fëmijë, por vazhdimësinë e vetes. Sheh të ardhmen që nuk do ta jetojë, por për të cilën ka punuar për gjithë jetën. Prandaj lotët e atij burri te moshuar nuk ishin vetëm të tij, por janë lotët e gjithë Shqipërisë.
Ata ishin lotët e qindra mijëra burrave dhe grave që sot ecin më ngadalë, flasin më pak dhe buzëqeshin më rrallë, por që ende mbajnë në zemër një pyetje të vetme: Lotët në sytë e atij burri pyesin: “A do ta gjejë më në fund Shqipëria rrugën e saj…!?” Kjo pyetje nuk është politike dhe as ideologjike, por thellësisht njerëzore.
Është pyetja e çdo prindi që dëshiron ta shohë fëmijën të jetojë me dinjitet në vendin e vet, e çdo të moshuari që nuk kërkon asgjë për veten, por dëshiron të largohet nga kjo botë me bindjen se sakrificat e brezit të tij nuk kanë qenë të kota. Ndoshta, pikërisht atë mbrëmje, mes brohoritjeve të studentëve, ai burrë mori përgjigjen që kishte pritur për vite me radhë.
Ai pa të rinj që nuk ishin mbledhur te verbuar nga urrejtja dhe as për shpagim. Nuk kishin dalë as për përfitim dhe as për Show. Ai burrë i moshuar pa në ato fytyra të pastra rinore të mbanin mbi supe përgjegjësinë e madhe historike për të mos e lënë shpresën të vdesë.
Në atë çast, dy breza nuk qëndronin më përballë njëri-tjetrit, por krah për krah: njëri sillte kujtesën, dhe tjetri sillte guximin. Dhe kur kujtesa takohet me guximin, historia fillon të ndryshojë.
Në fakt, ka një ligj të pashkruar që e ka shoqëruar historinë e qytetërimeve që nga agimi i njerëzimit: çdo herë që një shoqëri ka rrezikuar të humbasë busullën morale, ka qenë rinia ajo që ka ndezur dritën e parë të shpresës.
Jo pse të rinjtë janë të pagabueshëm, dhe as sepse ata nuk kanë gjithmonë të drejtë, por sepse rinia zotëron atë që vitet, shpesh, ia zbehin njeriut: guximin për të besuar se e pamundura mund të bëhet e mundur. Shumëkush e quan këtë idealizëm, por në fakt historia e quan fillimin e çdo ndryshimi të madh.
Asnjë epokë nuk ka ndryshuar sepse njerëzit u mësuan me padrejtësinë, sikurse, asnjë shoqëri nuk është bërë më e mirë sepse qytetarët vendosën të heshtnin. Çdo përparim ka nisur në çastin kur dikush ka pasur kurajën të thotë: “MJAFT!”Ky nuk është vetëm një akt kundërshtie, por një akt dashurie, sepse vetëm ai që e do vendin e vet gjen forcën të ngrihet për ta mbrojtur.
Indiferenca nuk lind nga mungesa e zemërimit, por nga mungesa e dashurisë. Prandaj, pamja e atyre studentëve merrte përmasa që shkonin shumë përtej një akti simbolik.
Ata nuk mbanin mbi supe vetëm një banderolë gjigante, e cila mbështolli godinën kryesore të Universitetit Shtetëror të Tiranës me aureolën më të bukur të SHPRESËS dhe të GUXIMIT; mbi supet e tyre rëndonte vetë pesha e ndërgjegjes qytetare, e kujtesës historike dhe e përgjegjësisë për fatin e së ardhmes së kombit. Në atë çast, ata nuk përfaqësonin vetëm një brez studentësh.
Ata u bënë zëri i një shoqërie që kërkon të zgjohet, fytyra e një Shqipërie që refuzon të pajtohet me padrejtësinë dhe shpresa se e ardhmja mund të ndërtohet mbi guximin për të mos heshtur.
Pa e kuptuar ndoshta as vetë, ata po i kujtonin gjithë shoqërisë se demokracia nuk është një ndërtesë që ndërtohet një herë e përgjithmonë, por një flakadan që duhet mbajtur përherë ndezur dhe për çdo ditë. Nëse e lë vetëm, fiket. Nëse nuk e ushqen me përgjegjësi, e mbulon hiri.
Nëse nuk e mbron, e zë pluhuri i harresës, sepse rinia nuk është vetëm mosha më e bukur e jetës; ajo është mosha në të cilën një komb provon ndërgjegjen e vet, mat forcën e idealeve dhe besimin tek e ardhmja.
Një shoqëri ku të rinjtë nuk ndihen më përgjegjës për fatin e vendit të tyre është një shoqëri që ka filluar të plaket, pavarësisht moshës së banorëve të saj, sepse pleqëria nuk fillon te thinjat, por në çastin kur një popull humbet aftësinë për të ëndërruar. Dhe atë mbrëmje Shqipëria nuk dukej e plakur, sepse në sytë e atyre vajzave dhe djemve kishte vetëm dritë.
Jo dritën e verbër të entuziazmit kalimtar, por atë dritë të qetë që lind kur njeriu ndien se po mbron diçka më të madhe se vetja. Ata nuk po mbronin vetëm një slogan, por idenë se atdheu nuk është pronë e askujt, se Shqipëria nuk mund të reduktohet në interesa, pazare apo llogari pushtetesh.
Një vend nuk është vetëm territori që shfaqet në hartë, por kujtesa e brezave, gjuha që na mësoi nëna, emri që mbajmë, varri ku prehen të parët tanë, kënga që na zgjon mallin kur jemi larg, flamuri që na bën të ndalojmë për një çast, kudo që ndodhemi në botë. A mund të shitet kujtesa? A mund të shitet gjuha? A mund të shiten rrënjët?Jo. Sepse ka gjëra që nuk kanë çmim.
Dhe pikërisht aty fillon qytetërimi. Vlera e një shoqërie nuk qëndron te ajo që shet, por te ajo që refuzon të shesë. Kur një popull arrin të thotë: “Këtë nuk e japim, sepse është pjesë e shpirtit tonë”, ai ka bërë hapin më të madh drejt lirisë. Prandaj mesazhi në këto protesta: “Shqipëria nuk është në shitje” nuk është thjesht një slogan, por kufiri moral i një shoqërie dinjitoze.
Një vijë e kuqe që ndan interesin nga dinjiteti, frikën nga guximi, dorëzimin nga përgjegjësia. Dhe në atë çast, ndërsa studenti ngrinte banderolën dhe plaku fshinte lotët, dukej sikur koha kishte ndalur për një moment. Njëri përfaqësonte të kaluarën, tjetri të ardhmen. Por mes tyre nuk kishte asnjë hendek, ngase i bashkonte e njëjta dashuri: Dashuria për Shqipërinë.
Jo atë Shqipëri që shfaqet në fjalimet festive zyrtare, por Shqipërinë e zakonshme: Shqipërinë e nënës që zgjohet para agimit; të mësuesit që vazhdon të edukojë me përkushtim; të mjekut që nuk largohet nga pacienti; të fermerit që punon tokën; të emigrantit që mban në portofol një fotografi të vendlindjes; të gjyshit që pret nipërit në pragun e shtëpisë; të studentit që beson se ky vend meriton një të nesërme më të drejtë.
Kjo është Shqipëria që nuk është në shitje, sepse nuk është pronë, por amanet. Dhe amanetet nuk shiten, ato vetem MBROHEN….
