Loja e bixhozit

0%

Shkolla e mesme e qytetit ishte vënë në krye të një proteste për shkak të mungesës së dritave. Jashtë, në errësirën e pafund, dëgjoheshin veç thirrje dhe parulla. Në katet e dyta dhe të treta të institucioneve shtetërore, dritat e qirinjve krijonin përshtypjen se atje dikush po punonte me ngut për ndonjë material të rëndësishëm.

Klajdi, gazetari i njërës nga gazetat më kryesore të vendit, pasi i mori qiririn e ndezur njërit prej nxënësve, u drejtua nga shkallët e bashkisë, ku e la atë dhe më pas u largua në heshtje. Ndoshta ky ishte shkaku që qindra qirinj u vendosën më pas në shkallët e atij institucioni shtetëror, edhe pse bashkia nuk kishte një lidhje të drejtpërdrejtë me KESH-in.

Dritëfikja kishte filluar të bëhej aq e shpeshtë, saqë kur ndizeshin llambat, një ah i fortë dëgjohej në të gjithë qytetin. Dritat vinin aq rrallë sa… Intelektualët e qytetit e përjetonin me shqetësim këtë proces bezdisës të ndërprerjeve të energjisë. Njëri ndër përkthyesit e njohur, bashkë me kompjuteristin e shtypshkronjës, prisnin me padurim ardhjen e dritave.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Shpesh u kishte ndodhur që, pasi kishin shkruar disa faqe, çdo gjë ta merrte lumi. Klajdi, në fakt, donte një mendim nga drejtuesit kryesorë për grevën, në krye të së cilës ishin jo pak të ashtuquajtur intelektualë të qytetit.

Kur pa ato drita të zbehta atje, në zyrat e institucioneve qendrore të rrethit, mendoi se po punohej për diçka të rëndësishme dhe rendi drejt zyrave për të shkëputur diku një fjalë për shtyp. Nuk do ta kishte besuar, po të mos i kishte parë vetë drejtorët e institucioneve kryesore, të ulur përballë njëri-tjetrit, duke hedhur njëra pas tjetrës letrat e bixhozit.

Sa herë që ndonjëri gabonte, tjetri lëshonte një breshëri sharjesh dhe këto të shara vinin pikërisht nga aleati i tij. Fillimisht kjo iu duk e pakuptimtë, por kur mbi tavolinë pa katër kartëmonedha prej njëqind dollarësh, e kuptoi mirë se aty zhvillohej një lojë me para. – Hë, more humbamen, jepi! – i thirri njëri nga drejtorët kolegut, i cili vazhdonte të mendohej dhe dukej se bënte llogari me vete.

Katër letra ranë njëra pas tjetrës mbi tavolinë. Derri maç i kishte ngecur dikujt. Të humburit filluan sharjet me njëri-tjetrin. Të fituarit rendën të merrnin dollarët dhe sërish kërkuan nëpër xhepa të tjerë dollarë për të rinisur duelin. Klajdi doli që andej me një ngarkesë të madhe inati. Shkoi drejt njërit nga lokalet me gjenerator për të pirë një kafe me një mik të tij.

Kishte nëpër duar një libër eseistik që kishte të bënte me ngjarjet e dy viteve më parë, por nuk po mundte ta nxirrte nga dora dhe shkaku i vetëm ishte kompjuterizimi i materialit, një pjesë të të cilit më parë e kishte botuar nëpër gazeta. Edhe në katin e dytë të lokalit, në njërën nga anekset e tij, një grup të rinjsh luanin bixhoz.

Kjo lojë kishte hyrë marrëzisht dhe ishte kthyer në një modë për të gjithë, megjithatë Klajdi e ndiente peshën marramendëse të saj. U ul në një tavolinë dhe nisi të diskutonte me mikun e tij përkthyes rreth letërsisë së ditëve të sotme.

Kushedi sa do të kishin vazhduar, po qe se aty nuk do të kishte ardhur njëri nga moshatarët e tij, i cili ishte specialist në një nga institucionet qendrore të rrethit. Ai ishte një djalë i matur dhe tepër i qetë. Natyrshëm, biseda mori udhë rreth efektivitetit të administratës shtetërore. – Eh! – kishte ofsharë specialisti i ri. – Na u gjetën dhe këto dritat.

Kur ka drita, punonjësit e administratës i sheh të gjithë para kompjuterëve. – Sa mirë! – kishte ndërhyrë Klajdi. – Po të ketë drita, do të thotë se punohet seriozisht. – Jo, bre, jo! – ia kishte pritur tjetri. – Të gjithë luajnë letra, por jo me lekë, po me kompjuter. – Si?! – kishte shprehur habinë e tij Klajdi. – Luajnë letra?!

Ashtu, duke rrufitur kafetë në atë bisedë me njëri-tjetrin, brenda lokalit, në kthinën ku ishte grupi i të rinjve, kishte plasur sherri dhe shkaku i vetëm kishte qenë ai, derri maç, që, me sa duket, me të drejtë a pa të drejtë, ia kishin ngecur dikujt në dorë. Por kjo nuk ishte asgjë përpara asaj që derri kishte përlarë prej xhepit të tij dhe të kolegut: qinddollarëshet.

Pra, këto të fundit ishin shkaku kryesor i sherrit. Kështu, ata ishin detyruar të dilnin. Ai nuk dinte ku të shkonte. Errësira e pafund të zinte frymën. Brenda zyrave dukeshin dritat e zbehta të qirinjve. U ngjit sërish në një tjetër institucion shtetëror, ku dëgjohej një zallamahi e zhurmshme.

Dy palë, vënë përballë njëra-tjetrës, të tensionuara deri në kulm, luanin atë lojë që një Zot e di se kur ishte shpikur, të rrethuara prej tifozëve të shumtë. Të gjithë flisnin e shanin me fjalë nga më të papërmbajturat. Qeshi me vete dhe doli, duke menduar për këtë marrëzi, e cila iu duk se ishte shpikur pikërisht për kohë dritëfikjesh.

Në fakt, në këto anë brezat kishin pasur një lojë të vjetër filxhanësh, e cila dukej se kishte diçka të përbashkët me këtë, të paktën në pjesën e sharjeve. A nuk ishte ajo lojë në të cilën i fituari ngrihej, kërcente e këndonte me bejte për palën e humbur, pastaj i jepte mundësi edhe palës humbëse të mbrohej po me bejte, që thureshin aty për aty? Jo, mërmëriti me vete.

Ajo ishte një lojë burrash, ku vërtet kënaqeshin të dyja palët, edhe pse me anë të atyre bejteve vinin në lojë njëri-tjetrin; por në asnjë mënyrë nuk fyenin dhe, aq më tepër, nuk “fshiheshin” dollarë, por një unazë, e cila bëhej shkak i një humori të pazakontë. Në fund të fundit, ajo lojë kishte një kuptim krejt tjetër, e kjo një tjetër.

Doli ngadalë prej atij institucioni në sheshin kryesor, përpara bashkisë, ku ndrisnin fundqirinjtë që ishin lënë në shkallët e atij institucioni vendor. Flakët e tyre të vogla dridheshin nga era, sikur përpiqeshin të mbanin gjallë një dritë që po shuhej.

Bëri të hynte në rrugicën e ngushtë që e çonte në shtëpi, kur sirena e policisë, si një piskamë lajmvdekjeje, çau errësirën dhe u ndal në cepin e përtejmë të sheshit, pranë atij lokali ku, vetëm pak minuta më parë, kishte pirë kafe me mikun e tij përkthyes.

Pas saj mbërriti edhe ambulanca, e cila gjithashtu gërvishti heshtjen e natës me dritat e saj blu përshkuan muret e ndërtesave, gërvishtën natën dhe u shuan mbi fytyrat e njerëzve që po grumbulloheshin me kureshtje. Klajdi mbeti i ngrirë. Nuk pati kohë të mendonte asgjë. Vetëm pak çaste më vonë mori vesh se kishte vdekur një djalë njëzetvjeçar. Nuk kishte pranuar të mbante derrin maç.

Një dorë letrash, disa kartëmonedha dhe një çast zemërimi kishin mjaftuar për t’i prerë fillin e jetës. Atij iu duk sikur e gjithë errësira e qytetit iu derdh brenda shpirtit. Qirinjtë në shkallët e bashkisë vazhdonin të digjeshin, por tani i ngjanin qirinjve të ndezur pranë një të vdekuri. U ndje i zbrazët. – Eh, si qenka jeta! Një lojë bixhozi… – mërmëriti me vete.

Nxori telefonin dhe formoi numrin e redaksisë. Donte të jepte lajmin, por gishti i mbeti pezull mbi tast. Për herë të parë ndjeu se lajmet nuk ishin vetëm fjalë të shtypura në gazetë. Pas tyre kishte fytyra, ëndrra të ndërprera dhe nëna që do të hapnin derën duke mos ditur se brenda pak çastesh do t’u shembej bota. Iu duk se po bëhej lajmëtar i vdekjes. Ngadalë e uli receptorin.

Qyteti mbeti sërish në errësirë.

Burimi: Bota Sot