Nga: Ardona Popova Shpërndaje në: Gjatë sezonit të verës, liqenet artificiale shndërrohen në pika të frekuentuara për not dhe rekreacion. Këtë të martë, një 25-vjeçar është mbytur në Batllavë, pasi ishte hedhur në ujë nga varka. Njohës të kërkim-shpëtimit e të mjedisit kanë treguar pse liqenet janë të rrezikshme për not.
Liqenet artificiale si ai në Batllavë, liqeni i Badovcit e ai i Radoniqit, janë ndërtuar për furnizim me ujë të pijshëm e për nevoja të ujitjes së tokës bujqësore. Por, gjatë sezonit të verës, ato shndërrohen në pika të frekuentuara për not dhe rekreacion. Këtë të martë, një 25-vjeçar është mbytur në Batllavë, pasi ishte hedhur në ujë nga varka që e kishte marrë me qira.
Kryetari i Shoqatës për Kërkim dhe Shpëtim, Mentor Maloku, ka thënë se ky rast do të parandalohej, nëse do të aplikoheshin masat që kërkohen për qasjen në liqe. “Liqenet janë të rrezikshme aq sa i bëjmë edhe ne vetë.
Nëse i marrim për bazë masat e sigurisë besoj që së paku kjo vdekja e fundit në Batllavë nuk kish ndodhë, duke e ditur pikësëpari që disa liqene janë të mbrojtura dhe nuk lejohet larja e tyre”, ka thënë Maloku. Njohësi i çështjeve të mjedisit, Ilir Morina, ka thënë se liqenet si ai në Batllavë, duhet të rrethohen dhe të jenë në mbikëqyrje të vazhdueshme.
“Përpara kanë qenë të rrethuara ose të ruajtura nga rojtarë të liqenit, gardianët që ministrja i krijoji gardianët sa me u fotografu edhe u zhdukën…
Shenjëzimi nuk ka një kosto shumë të madhe, pastaj rrethojat nëse është liqe shumë i madh, me i rrethu pjesët ku shfrytëzohen për këto aktivitete ose ku kontaminimi është potencial, pastaj roje, çdo liqen duhet me pasë roje me ndërrime 24 orë”, ka thënë Morina. Të dy kanë treguar pse liqenet janë të rrezikshme për notim.
“Përveç rrezikut se janë në një natyrë e panjohshme brenda ujit sepse te liqenet zakonisht ndodhë edhe eutrofikimi i tyre, sedimentimi i materieve organike, ngordhja e peshqve, biodiversiteti, zhvillohen shumë procese biologjike dhe fiziko-kimike.
Aty pastaj paraqitet rreziku i rrënjëve të ndryshme, bimëve të ndryshme edhe për persona, por edhe rrymat e ujit janë vende, vende shumë të ftohta”, ka thënë Morina. Ndërkaq Maloku ka theksuar se pos të ftohtit në disa liqene nuk ka dukshmëri fare.
“Liqenet janë të rrezikshme sepse janë të ftoftë brenda sidomos te ato liqene ku nuk ka pamje hiq dhe mosakomodimi ose ambientimi me ujin është shumë i rrezikshëm. Liqeni i Batllavës, Liqeni i Badovcit kanë dukshmëri zero, nuk kanë dukshmëri fare. Liqeni i Radoniqit është prej liqeneve më të pastra prandaj Liqeni i Batllavës dhe Badovcit janë më të rrezikshëm”, ka thënë Maloku.
Edhe vitin e shkuar, ka pasur raste kur qytetarët janë mbytur në liqenet artificiale në Kosovë. Një nga to ka ndodhur në veri, në liqenin e Ujmanit.
