Lexoi për luftën, gjeti një Kosovë krejt tjetër – Si ndryshoi

0%

Nga auditorët e Universitetit Shtetëror të Floridës, ku studion të drejtat e njeriut, deri te praktika profesionale në Kosovë, studentja amerikane thotë se një muaj në Prishtinë i ndryshoi mënyrën se si e sheh historinë, demokracinë dhe kujtesën kolektive.

Para se të ateronte në Kosovë në fund të majit 2026, në vizitën e saj të parë këtu, krejt çka dinte për Kosovën ishte ajo që kishte lexuar në libra të cilat, në mënyrë pothuaj stereotipe, e pajisin një të huaj me njohuri rreth luftës së viteve 1998-99 në përpjekjet e kosovarëve për liri e pavarësi.

Pashmangshëm, lufta, krimet dhe ndërtimi i demokracisë ishin temat që e kishin shoqëruar gjatë përgatitjeve për udhëtimin. Por kur mbërriti në Prishtinë, studentja amerikane zbuloi një realitet krejt tjetër.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Ajo që më befasoi më së shumti ishte sa miqësorë ishin të gjithë njerëzit që takova këtu”- thotë studentja amerikane, Brooke Simmons, e cila kaloi një muaj në Kosovë në kuadër të një programi ndërkombëtar të Florida State University, duke zhvilluar praktikën profesionale në “Reporting House”.

Ajo rrëfen se nuk kishte krijuar pritshmëri të mëdha para ardhjes, por pranon se materialet që kishte studiuar e kishin bërë ta imagjinonte Kosovën vetëm përmes historisë së luftës. “Para se të vija, pothuajse gjithçka që lexoja kishte të bënte me luftën. Kur mbërrita këtu, pashë një vend krejt ndryshe. Nuk dukej si një vend që kishte kaluar një luftë kaq të rëndë.

Gjithçka ishte e ndërtuar, njerëzit vazhdonin jetën normalisht dhe kjo ishte një surprizë shumë e këndshme”- thotë ajo. Brooke Simmons studion Kriminologji dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara dhe tregon se pikërisht interesi për të drejtat e njeriut e shtyu të aplikonte në programin që zhvillohet në Kosovë.

Brooke Simmons Programi synon t’u ofrojë studentëve amerikanë mundësinë që të mësojnë nga afër për proceset e drejtësisë tranzicionale, ndërtimin e institucioneve demokratike, lirinë e medias dhe të drejtat e njeriut. Për të, përvoja në Kosovë nuk ishte vetëm një praktikë profesionale, por një moment që ndikoi edhe në planet e saj për të ardhmen.

“Kur erdha këtu, u binda edhe më shumë se dua të vazhdoj studimet për drejtësi dhe të punoj në fushën e të drejtave të njeriut”- shprehet ajo. Një pjesë e rëndësishme e praktikës së saj u zhvillua në “Reporting House”, ku përmes ekspozitave në fotografi e video si dhe materialeve të tjera arkivore, pati mundësi të njihej më shumë mbi luftën në Kosovë.

Ajo thotë se kjo përvojë i ndryshoi mënyrën se si e sheh gazetarinë dhe ruajtjen e historisë. “Shumë nga ajo që prezantohet në Reporting House është gazetari hulumtuese me rëndësi të jashtëzakonshme. Ajo nuk dokumenton vetëm të kaluarën, por shërben edhe si edukim për brezat e ardhshëm”- tha ajo.

Sipas saj, në Shtetet e Bashkuara historia shpesh trajtohet si një temë e vështirë, ndërsa përvoja në Kosovë i tregoi se kujtesa kolektive është një element i domosdoshëm për ndërtimin e së ardhmes. Përtej aspektit profesional, ajo thotë se Kosova i la përshtypje edhe për mënyrën e jetesës.

Por Brooke ka vërejtur se ritmi më i qetë i jetës, marrëdhëniet mes njerëzve dhe ndjenja e komunitetit janë dallime të mëdha krahasuar me Shtetet e Bashkuara. “Më pëlqeu fakti që njerëzit gjejnë kohë të pinë kafe, të shoqërohen, të kalojnë kohë në parqe me familjet e tyre. Ekziston një ekuilibër më i mirë mes punës dhe jetës personale”- thotë Brooke.

Ajo vlerëson gjithashtu mënyrën se si krijohen marrëdhëniet mes njerëzve në Kosovë. “Në SHBA njerëzit shpesh përpiqen të mbajnë distancë dhe marrëdhëniet mbeten sipërfaqësore. Këtu kam ndjerë se njerëzit duan të të njohin më mirë dhe krijojnë lidhje më të sinqerta”- tha ajo.

Madje, ajo beson se pikërisht përvoja në Kosovë është ajo që shumë studentë amerikanë nuk mund ta gjejnë në programet tradicionale të studimit jashtë vendit. “Këtu nuk vjen vetëm për të vizituar Evropën. Vjen për të parë se si ndërtohet një demokraci, për të mësuar nga njerëzit që punojnë çdo ditë për drejtësinë dhe për të kuptuar historinë e një vendi”- shtoi ajo.

Programi përmes të cilit studentja erdhi në Kosovë zhvillohet në bashkëpunim me Center for the Advancement of Human Rights, nën udhëheqjen e Profesor Terry Coonan, dhe Programin Ndërkombëtar të Florida State University.

Sipas organizatores, Adelina Emini, ideja për krijimin e tij lindi gjatë studimeve të doktoratës në Florida State University, me synimin që Kosova të bëhej pjesë e ofertës akademike ndërkombëtare të universitetit.

“Ideja për këtë program lindi gjatë studimeve të mia të doktoratës në Florida State University, ku përveç zhvillimit akademik dhe kërkimit shkencor, mora si mision që Kosovën ta vendos në hartën ndërkombëtare të këtij universiteti prestigjioz.

Sot, me krenari mund të them se Kosova është pjesë e Programit Ndërkombëtar të Florida State University, duke u bërë një destinacion ku studentët amerikanë vijnë për të mësuar dhe për ta përjetuar nga afër demokracinë më të re në Evropë’’- thotë ajo.

Në kuadër të programit, studentët amerikanë zhvillojnë praktikë profesionale në institucione si Reporting House, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT) dhe Instituti për Krime Lufte, duke u njohur nga afër me historinë e Kosovës, të drejtat e njeriut, drejtësinë tranzicionale dhe procesin e ndërtimit të institucioneve demokratike.

“Nëse një ditë do të kthehesha këtu për të jetuar, do të doja të punoja si avokate në fushën e të drejtave të njeriut. Do të doja të ndihmoja që viktimat e luftës ta ndjenin se drejtësia vazhdon të kërkohet edhe pas gjithë këtyre viteve”- përfundon ajo. Një muaj nuk mjafton për ta njohur plotësisht një vend, por mjafton për t’ia ndryshuar dikujt mënyrën se si e sheh atë.

Studentja amerikane erdhi në Kosovë me njohuritë e marra nga librat për luftën dhe largohet me kujtime për njerëzit, historinë, mikpritjen dhe qëndrueshmërinë e një shoqërie që vazhdon të ndërtojë të ardhmen pa e harruar të kaluarën. Në këtë mënyrë, ajo bëhet një nga zërat që do ta tregojë historinë e Kosovës edhe përtej oqeanit.

“Nuk mund ta harrosh historinë, pavarësisht sa kohë ka kaluar. Ajo duhet të vazhdojë t’u përcillet brezave”- thotë Brooke Simmons. Muzeu “Reporting House” është themeluar nga BIRN Kosova & Prishtina Biennale në vitin 2024.

Njëzet e pesë vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, “Reporting House” solli një pasqyrim të hollësishëm të luftës evropiane që përmbylli shekullin e 20-të, në të cilën prezantohet puna e gazetarëve, fotografëve dhe artefaktet e kohës, të shoqëruara me vepra të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës.

Burimi: Kallxo