Në raundin e tridhjetë e dy skuadrave më të mira të Botërorit 2026, Kombëtarja e Suedisë do të përballet me një nga favoritët kryesorë, Francën dhe ndihmëstrajneri Sebastian Larsson beson se ekipi i tij mund të shkaktojë befasi. Ndeshja do të zhvillohet të martën, më 30 qershor, në New Jersey, ndërsa suedezët hyjnë në këtë duel si favoritë të mëdhenj në letër.
Suedia pati një rrugëtim me shumë luhatje deri në fazën me eliminim direkt. Ajo e mbylli e fundit grupin kualifikues, por siguroi pjesëmarrjen në Kupën e Botës përmes “play-off”. Në fazën e grupeve të turneut mposhti Tunizinë me rezultat 5:1, humbi po me të njëjtin rezultat ndaj Holandës dhe barazoi 1:1 me Japoninë, duke kaluar tutje nga vendi i tretë.
Në anën tjetër, Franca vjen në këtë përballje pas një fitoreje bindëse 4:1 ndaj Norvegjisë dhe konsiderohet një prej pretendentëve kryesorë për trofeun. “Franca nuk ka nevojë për shumë prezantim. Ata kanë disa lojtarë me cilësi të jashtëzakonshme. Do të kemi sfida të mëdha, por mezi po e presim këtë ndeshje”, ka deklaruar Larsson.
Ish-futbollisti suedez kujtoi se kombëtarja e tij ka befasuar edhe më parë skuadra më të mëdha. ” Nëse shohim të kaluarën, kemi arritur të eliminojmë ekipe më të forta edhe më parë. Kjo më jep besim mua dhe shpresoj edhe lojtarëve. Shpresoj që Franca të mos e ketë të lehtë përballjen me ne.
Ne kemi ende futbollistë që mund të bëjnë gjëra të mëdha, por duhet të zhvillojmë një ndeshje perfekte”, është shprehur ai. Larsson e ka pranuar se ndalja e yjeve francezë, si Kylian Mbappe dhe Ousmane Dembele, do të jetë një sfidë e madhe, por ka theksuar se skuadra është e motivuar për të tentuar surprizën.
“Do të jetë një sfidë e madhe, por mezi po e presim këtë ndeshje”, ka thënë ndihmëstrajneri i Suedisë.
