Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini në një konferencë për media ka shpalosur kushtet e AAK-së për Lëvizjen Vetëvendosje, nëse kjo e fundit kërkon ndihmën e AAK-së për formimin e institucioneve. Gjini para gazetarëve theksoi qëndrimet e Aleancës lidhur me zhvillimet politike. Sipas tij, po krijohet një ndjenjë që Kosova prapë rrezikon me mbet pa institucione për një kohë.
“Gjithçka është peng, gjithçka është blloku pothuajse që një 1 vit e gjysmë”, tha ai. Gjini tha se partia që ai e drejton nuk synon kurrfarë pjesëmarrje në qeverisjen e Kosovës në qeverinë e ardhshme. “…Por, i kemi disa kërkesa jetike në mënyrë që Aleanca me kry pjesën e vet të punës në ndihmë në krijimin e institucioneve…
E para institucionet e reja duhet qartë, pa ekuivokë me pranu orientimin strategjik, me pranu projektin e gazit amerikan menjëherë”, tha ai. Sipas tij, ky është projekt strategjik për Kosovën.
Gjini e theksoi edhe pikë tjetër që kërkon Aleanca është edhe pavarësia energjetike, gjegjësisht nisjen e menjëhershme të procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill, për të garantuar zhvillim ekonomik dhe ulje të inflacionit. Ai po ashtu theksoi se institucionet duhet menjëherë ta ngrisin pragun e TVSH-së nga 30 mijë euro në 100 mijë euro.
“Ka qenë edhe premtim i yni elektoral… Një veprim i tillë kishte me çlirua potencialin e jashtëzakonshëm të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, tha ai. Kryetari Gjini më tej theksoi se kërkesë tjetër është që tokat e punuara të lirohen nga tatimi në pronë.
“Kërkojmë që institucionet menjëherë duhet t’i buxhetojnë si të plota ndërtimin e infrastrukturës jetike, siç është rruga për Gjilan, Pejë, Gjakovë, Podujevë, janë të buxhetuara… “, tha ai.
Kryetari i Aleancës po ashtu tha se institucionet duhet të zotohen se për Prishtinën në pesë vjetet e ardhshme do të ndahen 800 milionë deri 1 miliard euro për shkak se sipas tij Prishtina po bëhet e pajetueshme, është ngufatur.
