Kusari: Parku Industrial në Gjilan po hyn në fazën e projektimit

0%

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, ka bërë të ditur se është zhvilluar konsultimi publik me rreth 50 biznese të Gjilanit në kuadër të projektit për ndërtimin e Parkut Industrial në këtë komunë.

Përmes një postimi në Facebook, Kusari tha se ky është hapi i dytë i procesit, pas bartjes së pronës nga Komuna e Gjilanit në pronësi të Ministrisë, me qëllim realizimin e projektit.

“Pas më shumë se një muaji nga bartja e pronës së Komunës së Gjilanit në pronësi të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për ndërtimin e Parkut Industrial në këtë komunë, sot hodhëm hapin e dytë të këtij procesi përmes mbajtjes së konsultimit publik me rreth 50 biznese të Gjilanit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Qëllimi i këtij takimi ishte dëgjimi i rekomandimeve dhe nevojave të tyre në fazën e projektimit të këtij projekti të rëndësishëm zhvillimor”, ka shkruar Kusari. Ajo bëri të ditur se, së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kanë prezantuar potencialin e projektit për zhvillimin ekonomik të rajonit.

“Me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, prezantuam potencialin e jashtëzakonshëm që Parku Industrial paraqet për zhvillimin ekonomik të rajonit. Studimi i fizibilitetit për projektin tashmë është përfunduar nga Komuna e Gjilanit, ndërsa hapi i radhës mbetet hartimi i projektit përfundimtar”, ka theksuar ajo.

Sipas Kusarit, Parku Industrial do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 150 hektarësh, duke u renditur ndër zonat më të mëdha industriale në Kosovë.

“Me një sipërfaqe prej rreth 150 hektarësh, kjo zonë industriale konsiderohet ndër më të mëdhatë në Kosovë dhe paraqet një mundësi të rëndësishme për tërheqjen e investitorëve strategjikë dhe zhvillimin e sektorëve industrialë”, është shprehur ministrja në detyrë. Ajo shtoi se parku është konceptuar mbi parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ekonomisë së gjelbër.

“Parku është konceptuar mbi parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ekonomisë së gjelbër, duke përfshirë furnizimin me energji të pastër përmes paneleve solare dhe energjisë së erës, si dhe integrimin e elementeve të ekonomisë qarkore dhe ripërdorimit të materialeve në procese të ndryshme industriale.

Brenda parkut parashihet organizimi i sektorëve prodhues sipas veprimtarive të njëjta ose të ngjashme”, ka deklaruar Kusari. Në fund, ajo theksoi se procesi i konsultimit synon që projekti të zhvillohet në partneritet me komunitetin e biznesit.

“Ky proces konsultimi përbën fazën e dytë të bashkëpunimit ndërmjet MINTI-t dhe Komunës së Gjilanit, me synimin që vizioni për Parkun Industrial të ndërtohet në partneritet të ngushtë me komunitetin e biznesit dhe të reflektojë nevojat reale të ndërmarrësve.

Lokacioni i parkut, pranë magjistrales Prishtinë–Gjilan, në fshatin Lipovç i Epërm, vetëm pak minuta larg qytetit, ofron një pozitë strategjike dhe potencial të madh për krijimin e vendeve të reja të punës, promovimin e produkteve vendore dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik të rajonit të Gjilanit”, ka përfunduar Kusari. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi