Në një intervistë për “Bota sot”, në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend ka folur ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu. Për situatën politike, Kadri Kryeziu thotë se synimi është konstituimi i Kuvendit dhe më pas formimi i Qeverisë, duke shpresuar në presionin e opinionit publik dhe faktorit ndërkombëtar.
Derisa për raportet mes partive, ai vlerëson se vendi ka nevojë për kompromis politik, pasi institucionet janë degraduar. Kurse, për zgjedhjen e presidentit, Kryeziu kërkon ndryshime kushtetuese për të shmangur ngërçet politike. I pyetur rreth gazit amerikan, ai u shpreh se, Kosova duhet ta pranojë si projekt në interes të vendit.
Intervista e plotë: “Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale politike dhe procesin e formimit të qeverisë së re? Kadri Kryeziu: Tendencat janë që të konstituohet Parlamenti dhe më vonë Qeveria. Shpresoj në presionin publik të brendshëm dhe në atë ndërkombëtar. “Bota sot”: A mendoni se vendi ka nevojë për kompromis politik apo për zgjedhje të reja?
Kadri Kryeziu: Unë mendoj dhe shpresoj se po, sepse mjaft janë degraduar institucionet. “Bota sot”: Çfarë përgjegjësie mbajnë partitë politike për bllokadën institucionale? Kadri Kryeziu : Partitë politike duhet të jenë në nivel të detyrës dhe të jenë të përgjegjshme para ligjit dhe Kushtetutës. “Bota sot”: A mendoni se mënyra aktuale e zgjedhjes së presidentit duhet të ndryshohet?
Kadri Kryeziu: Po, duhet të bëhen ndryshime kushtetuese: ose të zgjidhet me 61 vota, ose të shkohet në zgjedhje të drejtpërdrejta, që në të ardhmen të mos kemi ngërçe të pakuptimta politike. “Bota sot”: Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara? Kadri Kryeziu : Marrëdhëniet me SHBA-në mendoj se nuk janë në nivelin që duhet ta ketë Kosova.
Ka pasur keqkuptime dhe luhatje në raportet miqësore. “Bota sot”: Si e shihni projektin për furnizimin me gaz amerikan dhe rëndësinë e tij për Kosovën? Kadri Kryeziu: Po, gazin amerikan duhet ta pranojmë nga amerikanët, sepse është pjesë e strategjisë amerikane dhe shkon në favorin tonë. “Bota sot”: Çfarë prisni të ndodhë në javët e ardhshme në skenën politike të Kosovës?
Kadri Kryeziu: Të konstituohet Parlamenti dhe Qeveria! “Bota sot”: A jeni optimist se Kosova do t’i tejkalojë sfidat aktuale politike dhe do të ruajë partneritetin e saj strategjik me SHBA-në? Kadri Kryeziu: Ruajtja e partneritetit me SHBA-në është jetike për Kosovën dhe për kombin shqiptar. Duhet të jemi shumë vigjilentë, sepse historia na dënon.