Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, vizitoi sot ekspozitën personale “Dalja N’dritë” të fotografit Hazir Reka. Në këto fotografi shihen vitet 1988–1989, protestat qytetare, grevat e minatorëve dhe një popull që, siç tha kryetarja Haxhiu, edhe kur i merrej zëri institucional, gjente mënyra për të folur me këmbëngulje, me revoltë dhe me dinjitet.
Një vend të veçantë në ekspozitë zë greva historike e minatorëve të Trepçës. Ata burra, në thellësi të nëntokës, shtoi kryetarja e Kuvendit, e ngritën lart ndërgjegjen e një vendi të tërë, duke u bërë zë i Kosovës në ditët kur liria kërkonte guxim, sakrificë dhe qëndresë.
“Kjo ekspozitë është dëshmi dhe dokumentim i qëndresës dhe sakrificës së shumë brezave në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetndërtimit. Fotografitë nga Hazir Reka shërbejnë si një arkiv i çmuar i kujtesës sonë kolektive, duke na kujtuar rëndësinë e ruajtjes së historisë dhe nderimit të atyre që kontribuan në momentet vendimtare të vendit tonë” , theksoi kryetarja Haxhiu.
