Kontrabandimi i ujit në vend të naftës – Çka deklaruan të dyshuarit

0%

Gjykata e Prishtinës më iu caktoi nga një muaj paraburgim nëntë të dyshuarve për kontrabandë më naftë, të cilët u arrestuan gjatë aksionit të Prokurorisë Speciale të Kosovës më .

Të dyshuarit në këtë rast janë: Faruk Mazrek, Fariz Mazrek, Skender Kelmendi, Nisret Bajraktari, Dashnim Miftari, Adem Morina, Muhamet Mazrek, Naser Morina dhe Gazmend Quni i njohur me nofkën “Haxhi” dhe “Haxhi baba”.

Në vendimin e gjykatës të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit kanë vepruar si grup kriminal dhe kanë kryer veprat penale si: “Shperlarja e parave”, “Kontrabandimi i mallrave në bashkëkryerje”, “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Falsifikim i parasë”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas Gjykatës, dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat po dyshohen, mbështetet në provat si incizimet nga përgjimet e komunikimeve, vëzhgimet, raportet doganore, dhe super-ekspertizat që zbuluan modifikimin e cisternave (krijimi i dhomave të ndara ku disa mbusheshin me naftë e të tjerat me ujë natyral për të shmangur doganën).

Çka kanë deklaruar të dyshuarit dhe mbrojtësit e tyre në seancën dëgjimore? Të gjithë të pandehurit dhe avokatët e tyre në seancën dëgjimore të mbajtur më , e kanë kundërshtuar masën e paraburgimit, kështu duke kërkuar lirimin e tyre apo caktimin e ndonjë mase më të butë duke e përfshirë dorëzaninë.

Mbrojtja kishte pretenduar se janë bërë shkelje procedurale pasi nuk janë respektuar afatet ligjore për mbajtjen e seancës dëgjimore. Mbrojtësi i të pandehurit Faruk Mazrek, avokati Forti Skoro, ka pretenduar se afati i ndalimit prej 48 orësh kishte kaluar dhe e kishte kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas avokatit Skoro, nuk ka prova të mjaftueshme që e lidhin të mbrojturin e tij me veprat penale për të cilat i njëjti po dyshohet. Ndërsa vet i dyshuari Faruk Mazrek para gjykatës kishte kërkuar lirimin e tij me arsyetimin se menaxhon biznes, si dhe ka obligime çdo muaj ndaj bankës.

Mazrek para gjykatës ka thënë se prokuroria nuk ka asnjë provë që e involvon atë me veprat penale për të cilat ai po dyshohet. “Prokuroria nuk ka asnjë provë për mua se unë jam i involvuar në këto vepra penale për të cilat po dyshohem.

Të gjithë këta që janë në sallë le të ngritet një dhe të thotë se ka marrë ndonjë faturë nga unë që nuk ka pasë mbulesë apo ka marrë nga unë ndonjë cisternë me ujë dhe e kanë shit në vend të naftit unë kam me thanë shqiptoma dënimin sa të duash ti.”- ka deklaruar Mazreku.

Më tej, i pandehuri ka kërkuar lirimin e tij duke thënë se nuk do t’i shmanget asnjë ftese nga organet e drejtësisë dhe do t’i paraqitet çdo thirrjeje. Tutje, mbrojtësi i të pandehurit Dashnim Miftari, avokati Florent Latifaj, ka thënë se pretendimet e PSRK-së nuk kanë logjikë.

Sipas avokatit Latifaj, i mbrojturi i tij ka paguar doganë, TVSH dhe akcizë për naftën, e ku sipas tij nuk ka kuptim që pas gjithë këtyre shpenzimeve i mbrojturi i tij të shes naftë në të zezë. Ndërsa, i pandehuri Dashnim Miftari, ka thënë se pajtohet me deklarimin e avokatit të tij dhe se nuk ka çka të shtojë më tej.

Mbrojtësi i të pandehurit Fariz Mazrek, avokati Visar Hoxha, ka thënë se sa i përket kontrabandës, lidhur me atë që Prokuroria pretendon se përmes importit të naftës nga Shqipëria, autobotet janë mbushur me naftë dhe pjesërisht me ujë me qëllim të shmaniges doganore, nuk ka asnjë fakt që i mbrojturi i tij ka urdhëruar apo ka modifikuar cisterna, ka bërë deklarime doganore, apo i ka dhënë ndonjë urdhër ndonjë punëtori.

Ndërsa, vet i pandehuri Dashnim Miftari ka deklaruar se është baba i tre fëmijëve të mitur, të cilët kanë nevojë për prezencën e tij dhe se pesë persona janë të punësuar në biznesin e tij dhe të njëjtit varen nga biznesi i tij. Miftari ka kërkuar nga gjykata lirimin e tij, dhe ka thënë se do t’i përgjigjet çdo ftese të gjykatës.

Tutje, avokati Arianit Koci, i cili mbron të pandehurin Skender Kelmendi, ka thënë se kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit, është me mangësi dhe nuk është e qartë se cilat kanë qenë veprimet e të mbrojturit të tij. Deklarimin e avokatit të tij e ka mbështetur i pandehuri Skender Kelmendi.

Mbrojtësi i të pandehurit Nisret Bajraktari, avokati Yll Zekaj, ka thënë se kërkesa e PSRK-së nuk i përmbush kushtet ligjore të cilat përcaktohen në Kodin e Procedurës Penale. Tutje, avokati Zekaj ka thënë se nuk qëndron pretendimi i PSRK-së, si rreziku për përsëritjen e veprës penale pasi i mbrojturi i tij asnjëherë nuk ka kryer ndonjë vepër penale.

Tutje, avokati ka thënë se nëse ekziston rreziku i ikjes, ata do t’i ofrojnë gjykatës dorëzimin e pasaportës dhe do të ofrojnë dorëzani në shumën prej 30 mijë euro. Ndërsa vet i pandehuri Skender Kelmendi ka thënë se ka një pikë karboranti dhe se çdo veprim i tij është i faturuar dhe i kontrolluar nga ATK-ja.

Edhe mbrojtësi i të pandehurit Adem Morina, avokati Naim Spahiu, e ka kundërshtuar kërkesën e PSRK-së, duke thënë se kërkesa është e pabazuar në prova konkrete, joproporcionale dhe në kundërshtim të plotë me dispozita ligjore.

Sipas avokatit Spahiu, pretendimet e prokurorisë se i mbrojturi i tij ka të bëjë me veprën penale “Pjesëmarrje në krim të organizuar kriminal”, nuk qëndron pasi sipas tij nuk ekziston asnjë provë që e ndërlidh të mbrojturin e tij me këtë vepër penale.

Avokati Spahiu ka thënë se duke pasur parasysh moshën e të pandehurit, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të lihet në liri dhe i ka propozuar gjykatës masën e dorëzanisë në shumë prej 50 mijë euro. I pandehuri Adem Morina ka deklaruar se e mbështet deklarimin e avokatit të tij.

Edhe mbrojtësi i të pandehurit Muhamet Mazrek, avokati Durim Nevzati, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për masën e paraburgimit. Avokati Nevzati ka thënë se të mbrojturit të tij nuk i janë siguruar dokumentet në gjuhën që ai e kupton duke thënë se i mbrojturi i tij i përket nacionalitet turk.

Sipas avokatit, prokuroria nuk i ka specifikuar veprimet e të mbrojturit të tij, ndërsa i pandehuri ka deklaruar se e mbështet deklarimin e avokatit të tij. Mbrojtësi i të pandehurit Naser Morina, avokati Bekim Kafexholli, ka pretenduar se janë bërë shkelje procedurale pasi nuk janë respektuar afatet ligjore për mbajtjen e seancës dëgjimore.

Kafexholli ka thënë se mbrojtjes nuk i janë dorëzuar me kohë shkresat kryesore të lëndës, kështu duke e pamundësuar mbrojtjen efektive. Sipas avokatit, i mbrojturi i tij nuk ka punuar në kompaninë PO Petroll gjatë viteve 2020-2022, periudhë për të cilën po ngarkohet por ka punuar gjatë vitit 2023.

Sipas mbrojtjes, PSRK nuk ka paraqitur prova konkrete që e lidhin të mbrojturin e tij me veprat penale për të cilat i njëjti po dyshohet. Ndërsa, vet i pandehuri ka thënë para gjykatës, se është vozitës, dhe ka vozitur cisternën me të cilën ka transportuar naftë, si dhe gjatë kalimeve kufitare janë marrë mostra të naftës dhe gjithçka ka rezultuar në rregull.

“Dua të shtoj se jam vozitës, kam vozitur cisternën me të cilën kam transportuar naftë nga porti i Durrësit në Kosovë, kur kam arritur në pikën kufitare në Morinë, doganjerët e Shqipërisë më kanë kontrolluar, kanë marrë mostra të naftës dhe çdo gjë ka rezultuar në rregull, kjo ka ndodhë në vitin 2023, saktë nuk më kujtohet, gjithashtu kontrollë është bërë edhe në Kosovë dhe çdo gjë ka dalur në rregull.”- ka thënë Morina.

Tutje, mbrojtësja e të pandehurit Gazmend Quni, avokatja Alberina Foniqi, ka thënë se e kundërshton në tërësi kërkesën e Prokurorisë Speciale, duke thënë se kjo kërkesë nuk i ka plotësuar kushtet ligjore.

Avokatja i ka propozuar gjykatës, që ndaj të mbrojturit të saj të caktohet ndonjë masë më e butë, pasi i njëjti ka një punëtori që bën saldimin e kamionëve apo makinave të rënda dhë se është mbajtës i vetëm i familjës si dhe burim i vetëm financiar për familjen e tij.

Ndërsa vet i pandehuri Gazmend Quni, i njohur me nofkën “Haxhi” dhe “Haxhi baba”, ka thënë se ai punon si saldator i makinave të rënda dhe cisternave. I njëjti ka thënë se për ta salduar cisternën ajo duhet të mbushet me ujë për arsye se ekziston rreziku i eksplodimit nëse është e mbushur me derivate, mirëpo duhet të mbushet me ujë që të evitohet ndonjë ndonjë dëm.

“Në rastin konkret e kam salduar nie autocisternë të këtij zotriu Farukut por i kam thënë që të ma sjellë autocisternën me ujë pasi që siç dihet në Han të Elezit kemi problem me ujë, andaj unë e konsideroj vetën që jam tërësisht i pafajshëm. Me Farukun nëse nuk gaboj për herë të parë kam kontaktuar kah mesi i vitit 2024.”- ka thënë Quni.

Vendimi për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve është marrë nga gjyqtari Vesel Ismaili, ndërsa Prokuroria Speciale në këtë rast përfaqësohet nga prokurorja Arbëresha Raqa-Shala. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka zbardhur skemën e një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se ka kryer kontrabandë të derivateve, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi.

KALLXO.com sjell detaje ekskluzive nga dosja e Prokurorisë Speciale , ku përshkruhen pretendimet e organit të akuzës për secilin nga nëntë të dyshuarit e arrestuar më . Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale, në krye të këtij grupi qëndronte Faruk Mazrek (i njohur më parë si Faik Mazreku).

Prokuroria dyshon se pasuria e tij buron nga aktivitetet kriminale të trafikimit me narkotikë dhe se paratë janë futur në sistemin bankar përmes biznesit të tij “PO PETROLL FARIZ” në Mamushë. Për të fshehur origjinën e vërtetë, ai pretendohet se ka marrë 4 kredi në vlerë prej 930 mijë eurosh, për të deklaruar qarkullim të madh financiar.

“…nga atëherë kanë filluar të deklarojnë qarkullim të madh financiar nga shtija e karburanteve dhe importit të naftës nga Republika e Shqipërisë, të cilën kinse ju shesin bizneseve të tjera në Kosovë, e në të vërtetë cisternat e biznesit të të pandehurve në Shqipëri ngarkohen me gjysmën e sasisë së naftës dhe gjysmën tjetër të ujit, kurse faturohen për tërë sasinë e naftës dhe në librat e kontabilitetit regjistrojnë shtije, ndërsa kompanitë e tjera blerjet e tyre nuk i regjistrojnë ashtu që në këtë mënyrë kryejnë fshehjen e origjinës se parave përmes transfereve bankare dhe paratë e pista i fusin në sistemin legal financiar.

Me këtë kishin kryer veprën penale ‘shpëlarje e parave’.”- thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale. Prokuroria pretendon se ai ka organizuar kontrabandimin e naftës nga Shqipëria përmes portit “Porto Romano”, duke e shitur naftën e vërtetë atje, ndërsa në Kosovë ka futur cisterna të mbushura me ujë për të shmangur kontrollin doganor.

Ai akuzohet gjithashtu për shmangie nga tatimi në shuma mbi 50 mijë euro dhe lëshim të faturave fiktive. Në bashkëkryerje të plotë me të dyshohet se ka vepruar edhe djali i tij, Fariz Mazrek.

Prokuroria Speciale pretendon se ai ka pasur njohuri të plota se pasuria e tyre rridhte nga trafikimi i narkotikëve dhe ka shfrytëzuar të njëjtin biznes për të deklaruar importe dhe qarkullime fiktive.

Sipas dosjes, ai dyshohet se është përfshirë në falsifikimin e librave të kontabilitetit duke regjistruar shitje të rreme të naftës që në të vërtetë ishte ujë, me qëllim që paratë e pista të futeshin në sistemin legal financiar.

Roli i të dyshuarit Skender Kelmendi, sipas pretendimeve të prokurorisë, ishte ndihma e vazhdueshme në pastrimin e parave të Mazrekëve përmes lëshimit të faturave fiktive për blerje të derivateve, gjë që sipas akuzës dëshmohet nga bisedat e përgjuara më 14 dhe .

Përveç kësaj, Prokuroria pretendon se gjatë kontrollit më , në shtëpinë e tij në Lipjan janë gjetur tri armë pa leje valide (të prodhuesve Zimmermann dhe CFS me afate të skaduara, si dhe një pistoletë HS).

Po ashtu, në pompën e tij të derivateve “EuroKos” në Shtime, atij i janë sekuestruar 298 euro në monedha metalike nga 2 euro të falsifikuara, të cilat dyshohet se synonte t’i vinte në qarkullim. Ndaj të dyshuarit Nisret Bajraktari, Prokuroria Speciale ka ngritur pretendime të ngjashme për ndihmë në pastrimin e parave.

Ai dyshohet se, duke pasur dijeni për origjinën kriminale të pasurisë së udhëheqësve të grupit, ka përdorur biznesin e tij për të lëshuar fatura fiktive të blerjes së derivateve të naftës nga kompania “PO PETROLL FARIZ”, duke bashkëpunuar në fshehjen e burimit të vërtetë të parave, veprime këto që prokuroria pretendon se dokumentohen gjithashtu nga transkripte të bisedave të përgjuara.

Për të dyshuarin Dashnim Miftari, si pronar i biznesit “Veda 2 Petroll SH.P.K”, Prokuroria Speciale pretendon se ka vepruar brenda grupit të organizuar kriminal të paktën që nga janari i vitit 2025.

Organi i akuzës dyshon se ai ka deklaruar importe të mëdha fiktive të naftës për biznesin e tij përmes Durrësit, duke lejuar që autobotet të kalonin kufirin e Kosovës me cisterna të mbushura kryesisht me ujë natyral, me qëllim shmangien nga tatimi dhe përfitimin e drejtpërdrejtë financiar.

I dyshuari Adem Morina, pronar i “Cini Oil SH.P.K.”, pretendohet nga prokuroria se ka pasur rol të njëjtë në kuadër të grupit kriminal.

Prokuroria Speciale dyshon se ai ka deklaruar importe të rreme të naftës për kompaninë e tij që nga janari i vitit 2025, duke u bërë pjesë e rrjetit që shmangte kontrollet doganore me cisterna që përmbanin vetëm 20% naftë dhe pjesën tjetër ujë, duke ndihmuar në fshehjen e veprimtarisë dhe shmangien e tatimeve.

Sa i përket të dyshuarit Muhamet Mazrek, pretendimet e prokurorisë e ngarkojnë atë me një rol operativ. Ai dyshohet se ka qenë i angazhuar drejtpërdrejt në transportin e derivateve, në modifikimin e mjeteve transportuese për t’iu përshtatur skemës së kontrabandës, si dhe në mbajtjen e kontakteve në mes të anëtarëve të grupit, duke ndihmuar në ndarjen e vendeve të cisternave ku fshihej uji.

Për të dyshuarin Naser Morina, prokuroria pretendon se ka shërbyer si vozitës i cisternave të biznesit “PO PETROLL FARIZ”.

Sipas akuzës, ai ka transportuar naftën nga Shqipëria duke pasur dijeni të plotë se mjetet transportuese ngarkoheshin me gjysmën e sasisë naftë dhe gjysmën tjetër ujë, duke kontribuar drejtpërdrejt në dorëzimin e ngarkesave fiktive dhe në futjen e parave të pista në sistemin financiar.

Kurse, për të dyshuarin Gazmen Quni (i njohur me nofkat “Haxhi” ose “Haxhi baba”), Prokuroria Speciale ka shpalosur pretendime për një rol teknik. Ai dyshohet se ka kryer modifikimet post-fabrikore në pjesën e brendshme të autoboteve.

Sipas akuzës, Quni ka ndërhyrë qëllimisht në cisterna duke krijuar komora të ndara sekrete, në mënyrë që 90% e hapësirës të mbushej me ujë natyral dhe vetëm pjesa e mbetur me naftë, duke mundësuar teknikisht shmangien e kontrollit doganor në kufirin e Kosovës.

Më , burimet e KALLXO.com kanë sqaruar skemën, e cila dyshohet se i ka shkaktuar qindra mijëra euro dëme buxhetit të Republikës së Shqipërisë dhe ka ndërtuar një skemë të shpëlarjes së parave në Kosovë.

Sipas këtyre burimeve, ky grup kishte përdorur një skemë të njohur të kontrabandimit dhe shmangies së tatimeve të naftës teknike, e cila ishte përdorur edhe në kontrabandën e naftës në zonën veriore të Kosovës. Sipas burimeve, nafta ishte importuar nga kompani nga Kosova dhe kishte kaluar transit në Republikën e Shqipërisë.

Shqipëria, sipas burimeve, ka taksa shumë më të larta për naftën, diku mes 20 deri në 40 cent më të shtrenjta se në Kosovë. Grupi, sipas burimeve, kishte zbarkuar naftën në Shqipëri, ku ajo ishte shitur në tregun e zi, ndërsa maunat ishin mbushur me ujë dhe ishin futur në Kosovë.

Maunat, sipas këtyre burimeve, kishin paguar doganën dhe akcizën, e cila është më e ulët në Kosovë, duke krijuar fitime prej 10 apo më shumë centësh për secilin litër të naftës që ishte zbarkuar në Shqipëri dhe në formë fiktive ishte importuar në Kosovë.

Rrjeti, sipas burimeve, ka arritur që tutje të krijojë fatura fiktive të shitjeve në pompat e derivateve dhe në biznese të tjera të vendit, të cilat kishin arritur t’i arsyetonin importet dhe çmimet e shitjes. Skema, sipas burimeve, implikon edhe hetime të cilat zhvillohen në Shqipëri për rrjetin në fjalë.

Hulumtimet e mëhershme kishin dokumentuar se zona e veriut të Kosovës ishte përdorur për një skemë të ngjashme, ku për shkak të bllokadave dhe barrikadave, mauna të tëra të deklaruara si mauna me naftë ishin futur në Kosovë, ndërsa në realitet ato ishin të mbushura me ujë.

Hetimi, sipas burimeve të KALLXO.com, tani është fokusuar në shmangiet tatimore që bizneset në Kosovë kanë mundur t’i bëjnë për shkak të faturave fiktive.

Burimi: Kallxo