Edhe para se të nisë kongresin,AfD – një pjesë e së cilës i përket ekstremit të djathtë – tërheq rregullisht vëmendjen. Temat e trajtuara janë të ndryshme: demonstratat masive të shpallura kundër AfD-së, diskutimet rreth një ndalimi të mundshëm, por edhe luftërat e brendshme për pushtet brenda udhëheqjes së partisë.
Në këtë sfond, eksceset e fundit raciste të zyrtarëve të AfD-së kanë kaluar pothuajse pa u vënë re: në ditët e fundit, disa politikanë kanë bërë komente përçmuese për ekipin kombëtar gjerman të futbollit. Dominik Kaufner, anëtar i AfD-së në Parlamentin e Landit të Brandenburgut, mohoi se lojtarët e ekipit kombëtar ishin gjermanë, me arsyetimin se ata nuk ishin ‘gjermanë etnikë’.
Ky term u përdor kryesisht gjatë epokës naziste për të margjinalizuar hebrenjtë, njerëzit me ngjyrë, sintit dhe romët duke i etiketuar si ‘jo-gjermanë’. Dhe kryetari me ndikim rajonal i AfD-së në Turingi, Björn Höcke, bëri shaka raciste për anëtarët me ngjyrë të ekipit kombëtar.
Si përgjigje ndaj këtyre komenteve dhe qëndrimit përgjithësisht armiqësor të Alternativës për Gjermaninë (AfD) ndaj diversitetit shoqëror, disa koalicione po organizojnë protesta kundër kongresit të partisë në Erfurt, në kryeqytetin e Turingisë.
Demonstratë e shpallur nga shoqëria civile Kishat, sindikatat, partitë politike, organizatat për të drejtat e njeriut dhe klubet sportive i janë bashkuar koalicionit “Të qëndrojmë së bashku” (“Zusammenstehen2). Ato po mobilizohen në të gjithë vendin për të organizuar demonstrata paqësore kundër kongresit më 4 dhe 5 korrik.
Koalicioni më i vogël veprues “Të kundërvihemi” (“Widersetzen”) gjithashtu po bën thirrje për bllokime të kongresit së partisë. Sipas raporteve të ndryshme të mediave, policia pret ardhjen e ekstremistëve të majtë të prirur drejt dhunës dhe do të jetë në terren me mijëra efektivë.
Ministri i Brendshëm i Turingisë, Georg Maier (SPD), njoftoi në një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit rajonal se policia do të respektojë të drejtën themelore të lirisë së manifestimit – si për kongresin e AfD-së, ashtu edhe për demonstratat paqësore. Në ongres, AfD-ja do të zgjedhë një komitet ekzekutiv federal të ri.
Dy kryetarët aktualë të partisë,Alice Weidel dhe Tino Chruppalla, kandidojnë për rizgjedhje dhe konsiderohen të sigurt se do të rizgjidhen. Zgjedhjet për anëtarët e tjerë të komitetit ekzekutiv pritet të jenë të vështira. Ato do të përcaktojnë në masë të madhe drejtimin e ardhshëm të partisë. Disa politikanë të ekstremit të djathtë kanë shpallur kandidaturën e tyre.
Jean-Pascal Hohm, kryetar i krahut rinor të AfD-së, ‘Generation Deutschland’, është një kandidat me shanse. Ai ka pasur kontakte të shumta me krahun e ekstremit të djathtë të partisë në të kaluarën. A do të fitojnë ekstremistët e djathtë më shumë ndikim brenda partisë?
Kryetari i fuqishëm rajonal i Turingisë, Björn Höcke, gjithashtu duket i vendosur të zgjerojë ndikimin e tij mbi partinë në nivel federal. Në maj, një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Stefan Möller, bashkëkryetari i tij në degën rajonale, njoftoi se do të kandidojë për postin e zëvendës-zëdhënësit federal.
Dega rajonale e AfD-së në Turingi klasifikohet nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës si e vërtetar e ekstremit të djathtë, pasi, për shembull, nuk i konsideron gjermanët me origjinë imigrante nga vendet kryesisht myslimane si qytetarë të barabartë.
Një raport i fundit i juristëve të së drejtës kushtetuese gjermane konkludon, për këtë arsye, se AfD-ja është antikushtetuese: “AfD-ja i kundërvihet parimit të demokracisë duke u përpjekur të shtypë kundërshtarët e saj politikë.
Dhe bie në kundërshtim me dinjitetin njerëzor, pasi programi i tij politik racist krijon klasa të ndryshme njerëzish,” shpjegoi Bijan Moini, i cili bashkëdrejtoi këtë raport si menaxher projekti në Shoqërinë për të Drejtat Civile. Pas publikimit të këtij raporti më , shumë politikanë dhe organizata kërkuan të nisin procedurat për ndalimin e AfD-së.
Një vendim të duhej ta merrte Bundestagu, qeveria federale ose Dhoma e Landeve, Bundesrati. Më pas, gjykata më e lartë e Gjermanisë, Gjykata Federale Kushtetuese në Karlsruhe, do të vendoste për ndalimin. AfD ka mbrojtur veten kundër këtyre akuzave për vite me radhë. Ajo përshkruan rregullisht sulmet ndaj partisë së saj si një përpjekje për ta eliminuar AfD-në si rivale politike.
Në vitet e fundit, partia ka pasur suksese të shumta zgjedhore dhe është bërë forca kryesore politike në Gjermaninë lindore. Përpara zgjedhjeve rajonale të ardhshme në Saksoni-Anhalt dhe Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore, të planifikuara për shtator 2026, AfD ka njoftuar se ka ndërmend që pas votimeve të përfaqësohet me kryeministra të landeve.
