KOMF reagon për rastin në Pediatri: Ngre shqetësime për gjendjen e

0%

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka ngritur shqetësime për gjendjen e shërbimeve shëndetësore për fëmijët në Kosovë, duke theksuar se, pavarësisht garancive ligjore për kujdes shëndetësor falas, fëmijët vazhdojnë të përballen me vështirësi në qasje dhe në cilësinë e trajtimit.

Sipas KOMF-it, e drejta e fëmijës për kujdes shëndetësor është e garantuar me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës. Neni 42 i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës garanton kujdes shëndetësor falas, ndërsa përgjegjës për zbatimin e kësaj të drejte është Ministria e Shëndetësisë.

Megjithatë, organizata vlerëson se praktika në terren mbetet larg standardeve të kërkuara. Duke iu referuar një hulumtimi të realizuar nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, anëtare e KOMF-it, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit dhe atë të Gjilanit, thuhet se pacientët e reparteve të Pediatrisë kanë shprehur nivelin më të ulët të kënaqshmërisë krahasuar me repartet e tjera.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas raportit, faktorët që kanë ndikuar në këtë vlerësim lidhen me qasjen ndaj pacientëve, cilësinë e shërbimeve mjekësore, infermierore dhe diagnostike, kushtet infrastrukturore, higjienën, furnizimin me barna dhe cilësinë e ushqimit.

Po ashtu, të dhënat tregojnë se niveli i higjienës në repartet e pediatrisë është më i ulët se në repartet e tjera, gjë që, sipas KOMF-it, ngre shqetësime serioze për cilësinë dhe sigurinë e kujdesit ndaj fëmijëve.

Në Kartën e Vlerësimit të publikuar nga KOMF theksohet se mungesa e personelit shëndetësor dhe mbingarkesa e klinikave të pediatrisë vazhdojnë të jenë ndër sfidat kryesore në kujdesin sekondar dhe terciar.

Sipas organizatës, Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës vazhdon të funksionojë me kapacitete të kufizuara, ndërsa numri i personelit mbetet i pamjaftueshëm në raport me numrin e pacientëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve.

KOMF vlerëson se funksionalizimi i Spitalit të ri Kirurgjik Pediatrik ka sjellë përmirësime në ofrimin e shërbimeve të nivelit terciar, përfshirë emergjencën pediatrike, traumën, rikuperimin dhe ambulancat specialistike.

Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e shërbimeve pediatrike vazhdon të ofrohet në objektin e vjetër të Klinikës së Pediatrisë, i cili, sipas organizatës, nuk i plotëson standardet infrastrukturore për trajtim cilësor dhe dinjitoz të fëmijëve. Organizata ngre shqetësime edhe për mungesën e barnave dhe materialeve shpenzuese në institucionet publike shëndetësore.

Sipas saj, prindërit vazhdojnë të raportojnë se detyrohen të blejnë me shpenzimet e tyre barna, përfshirë edhe ato nga Lista Esenciale, çka cenon parimin e qasjes së barabartë në kujdesin shëndetësor dhe krijon barrë financiare për familjet. Një tjetër problem i evidentuar është mungesa e një sistemi institucional për matjen e kënaqshmërisë dhe përvojës së pacientëve.

Sipas KOMF-it, institucionet shëndetësore nuk disponojnë të dhëna për këtë aspekt, duke e bërë më të vështirë identifikimin dhe adresimin e problemeve në sistem.

Në fund, KOMF u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa urgjente për përmirësimin e kushteve në repartet pediatrike, rritjen e numrit të personelit shëndetësor, sigurimin e barnave dhe garantimin e shërbimeve cilësore me në qendër fëmijën, duke theksuar se edhe zëri i prindërve duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes për politikat shëndetësore.

Burimi: Telegrafi