Fondacioni Lumbardhi ka prezantuar programin e kinemasë verore në Doku Kino Plato, i cili do të zhvillohet gjatë muajve korrik dhe gusht nën temën “Përtej rebelimit dhe absurdit”. Programi nis më 17 korrik dhe sjell për publikun një seri filmash të vlerësuar ndërkombëtarisht, të cilët trajtojnë tema si identiteti, përkatësia, revolta dhe kërkimi i së vërtetës përmes kinemasë së pavarur.
Sipas organizatorëve, programi eksploron kufirin mes reales dhe absurdit, duke sjellë në ekran vepra të regjisoreve dhe regjisorëve Marjane Satrapi, Tolga Karaçelik dhe Jan Komasa, të cilët sfidojnë format tradicionale të rrëfimit përmes historive me dimensione sociale, politike dhe njerëzore.
Programi do të hapet më 17 korrik me filmin “Persepolis” (2007), me regji të Marjane Satrapi dhe Vincent Paronnaud. Shfaqja organizohet si homazh për Satrapin, ndërsa filmi trajton Revolucionin Iranian të vitit 1979 nga perspektiva e një vajze të re dhe pasojat që solli ai në shoqërinë iraniane.
Më 24 korrik do të shfaqet “Corpus Christi” (2019), me regji të Jan Komasa, një dramë që trajton konfliktin mes besimit, fesë institucionale dhe identitetit personal përmes historisë së një të riu që merr identitetin e një prifti.
Programi vazhdon më 31 korrik me filmin “Butterflies (Kelebekler)” (2018) të regjisorit Tolga Karaçelik, i cili ndërthur elemente të absurdit dhe humorit për të eksploruar marrëdhëniet familjare, traumën dhe ndjenjën e përkatësisë.
Fondacioni Lumbardhi njofton se programi realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, programit “EJA Kosovë” të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, si dhe DokuFest.
