Jeta e libanezëve pranë kufirit izraelit mes frikës e tensionit

0%

Nga: Associated Press Përktheu:

Flutura Gashi-Mehmeti Shpërndaje në: El-Cheikh, një nga të paktët të krishterë nga Dibbine, gjeti strehim në një fshat tjetër, por viziton rregullisht Jdeidat Marjayoun, një fshat kryesisht i krishterë pranë vendlindjes së saj, për të pirë kafe me një shoqe nga kisha. Para luftës, ky ishte një ritual qetësues. Tani ai zhvillohet mes humbjes dhe frikës.

Duke parë nga ballkoni i një shoqeje, Milia el-Cheikh e kishte të vështirë të dallonte shtëpinë e saj mes rrënojave të fshatit tashmë të braktisur, hyrjet e të cilit ishin rrethuar me tela me gjemba.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Fshati i saj, Dibbine, është një nga disa komunitete me shumicë shiite në jug të Libanit që janë shkatërruar nga forcat izraelite gjatë luftimeve kundër Hezbollahut shiit të mbështetur nga Irani. Izraeli ka pushtuar zona të gjera dhe luftimet nuk kanë pushuar as gjatë armëpushimeve të shpallura.

Armëpushimi i fundit, pjesë e marrëveshjes së përkohshme të paqes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duket se po respektohet. El-Cheikh, një nga të paktët të krishterë nga Dibbine, gjeti strehim në një fshat tjetër, por viziton rregullisht Jdeidat Marjayoun, një fshat kryesisht i krishterë pranë vendlindjes së saj, për të pirë kafe me një shoqe nga kisha.

Para luftës, ky ishte një ritual qetësues. Tani ai zhvillohet mes humbjes dhe frikës. “Nuk di asgjë për shtëpinë time”, thotë ajo. “Asgjë nuk është më e dhimbshme sesa të mos mund të shkosh në shtëpinë tënde”. Jdeidat Marjayoun është një nga një varg qytetesh dhe fshatrash të vizituara nga Associated Press në kufirin e paqartë të zonës së pushtuar nga Izraeli në jug të Libanit.

Ushtria ka dëbuar popullsinë kryesisht shiite, duke besuar se ata strehojnë luftëtarë të Hezbollahut, dhe shumë vendbanime janë shkatërruar. Banorët e komuniteteve fqinje të krishtera, sunite dhe druze janë lejuar të qëndrojnë, por konflikti ua ka ndryshuar jetën.

Shtëpitë e tyre janë goditur, bllokimi i rrugëve i ka izoluar nga pjesa tjetër e Libanit dhe bastisjet e natës nga trupat izraelite kanë terrorizuar banorët.

Paralajmërimet izraelite kundër strehimit të luftëtarëve të Hezbollahut ua kanë bërë atyre praktikisht të pamundur që të pranojnë shiitët e zhvendosur, duke krijuar përçarje mes fqinjëve të kahershëm dhe duke nxitur tensione politike e sektare.

Libani – kyç për marrëveshjen me Iranin Konflikti i fundit filloi kur Hezbollahu lëshoi raketa drejt Izraelit disa ditë pasi Izraeli dhe SHBA-ja nisën luftën e tyre kundër Iranit më 28 shkurt. Izraeli pushtoi Libanin dhe ka zgjeruar zonën e kontrollit deri në 12 kilometra në thellësi, në disa vende.

Ndërsa trupat përparonin, Izraeli paralajmëroi banorët të largoheshin nga zona të mëdha të jugut të Libanit dhe në prill publikoi një listë me 53 qytete dhe fshatra, kryesisht shiite, ku banorëve u ndalohet të kthehen. Së fundi, listës iu shtuan edhe tetë fshatra të tjera me shumicë shiite. Izraeli thotë se trupat e tij do të qëndrojnë në jug të Libanit për vetëmbrojtje.

Ai pretendon se Hezbollahu është i rrënjosur thellë në zonë dhe ka publikuar video që, sipas tij, tregojnë tunele dhe infrastrukturë ushtarake në zona të banuara. Irani thotë se çdo armëpushim më i gjerë duhet të përfshijë Libanin dhe se Izraeli duhet të tërhiqet, ndërsa Hezbollahu deklaron se do t’i rezistojë pushtimit. Edhe qeveria libaneze ka kërkuar tërheqjen e Izraelit.

Jeta nën hijen e ushtrisë izraelite Qytetet dhe fshatrat e përziera në skajin e zonës së sigurisë, të shtrira mes kodrave, luginave, pemishteve dhe ullishtave, ndodhen përballë fqinjëve të tyre të shkatërruar. Banorët janë zotuar se do të qëndrojnë.

Qyteti shiit i Khiamit, tashmë një hapësirë e zbrazët me ndërtesa të rrafshuara dhe nën kontrollin izraelit, shihet nga fshati i krishterë Qlayaa. Banorëve të Qlayaa-s praktikisht u ndalohet të arrijnë ullishtat e tyre në luginën mes dy vendbanimeve. “Tani kemi humbur edhe një sezon tjetër”, thotë kryetari i komunës së Qlayaa-s, Hanna Daher.

Një prift në Qlayaa u vra nga granatimet ndërsa po inspektonte dëmet e një sulmi të mëparshëm, ndërsa një baba dhe dy fëmijët e tij u vranë nga një sulm me dron teksa po udhëtonin drejt fshatit. Izraeli thotë se godet vetëm militantë. Në Jdeidat Marjayoun, një shtëpi u bombardua nën dyshimin se po përdorej nga militantët.

Raketat, që besohet se u lëshuan nga Hezbollahu, dëmtuan kupolën e një kishe. Në vende të tjera janë goditur panele diellore, transmetues energjie dhe stacione uji. El-Cheikh u largua nga Dibbine me fqinjët e saj në fillim të marsit pasi Izraeli paralajmëroi banorët të largoheshin.

Në fund të majit, pas javësh luftimesh, forcat izraelite bastisën Dibbine dhe u tërhoqën në fillim të qershorit. Ndërsa luftimet vazhdonin, shoqja e saj Lolitta Costantine qëndroi e mbyllur me bashkëshortin në shtëpinë e tyre në Jdeidat Marjayoun dhe në një moment u strehua te fqinjët. Çarjet e shkaktuara nga shpërthimet përshkojnë muret e shtëpisë së saj.

Dritaret u thyen dhe dyert u shkëputën nga vendi. Ajo ruan copëzat e predhave si kujtim të asaj periudhe. “Nuk e dinim nga po vinte rreziku”, thotë Costantine.

Tensionet rriten, të zhvendosurit refuzohen Shiitët që kërkojnë strehim nga luftimet janë refuzuar nga banorët që kanë frikë nga sulmet izraelite ose dëbimi, duke përkeqësuar tensionet që kishin mbetur kryesisht të heshtura që nga lufta civile e Libanit (1975–1990).

Kur një banor i Qlayaa-s strehoi një mik nga një fshat shiit në pemishten e tij, shtëpia e tij u bombardua, tha kryetari Daher. Banorë të tjerë u kanë kërkuar shiitëve që kërkonin strehim të largohen. “U thamë se nuk duam probleme as për ju, as për ne”, thotë Daher.

Izraeli ka paralajmëruar komunën e Jdeidat Marjayoun që të mos lejojë hyrjen e njerëzve të zhvendosur nga fshatrat fqinje, duke thënë se kjo mund ta rrezikojë qytetin ose të detyrojë evakuimin e tij, njoftoi komuna në rrjetet sociale. “U detyruam t’u kërkonim disa prej tyre të largoheshin nga qyteti”, thotë prifti i famullisë, At Philip Habib Okla.

“Kjo shkaktoi shumë mosmarrëveshje dhe tensione. Ne mbështetemi te besimi për të qëndruar të bashkuar”, shton ai. Ushtria izraelite tha se ka paralajmëruar banorët në pjesë të jugut të Libanit që të mos lejojnë Hezbollahun të përdorë fshatrat e tyre. Sipas saj, Hezbollahu operon në zona civile dhe kështu rrezikon banorët.

Gjatë pushtimit izraelit të jugut të Libanit nga viti 1982 deri në vitin 2000, zona ishte bastion i Ushtrisë së Libanit Jugor, një milici kryesisht e krishterë që bashkëpunonte me ushtrinë izraelite. Kur Izraeli u tërhoq, disa prej tyre ikën në Izrael, ndërsa të tjerë u gjykuan në Liban, ku konsideroheshin gjerësisht si bashkëpunëtorë.

Disa banorë shqetësohen se mund të etiketohen padrejtësisht në të njëjtën mënyrë vetëm pse kanë qëndruar në shtëpitë e tyre. Pak prej tyre janë të gatshëm të flasin hapur për tensionet, nga frika e hakmarrjes së Izraelit ose Hezbollahut.

Në një kishë të vizituar nga Associated Press, një burrë shpërtheu i zemëruar duke thënë se të gjithë ishin bërë dyshues ndaj njëri-tjetrit, madje edhe të krishterët në mes vete. Ai fajësoi Hezbollahun që e futi Libanin në luftë, duke thënë se kishte bërë një gabim serioz.

“Këtu është bërë si në Bregun Perëndimor” Në mars, forcat izraelite rrethuan një ndërtesë në fshatin kryesisht sunit Halta. Ato hynë me forcë dhe arrestuan Chadi Abdel-Al, i cili bërtiste “zemra ime” ndërsa po rrihej dhe tërhiqej drejt një furgoni, sipas nënës së tij, Ayesha al-Qaderi, e cila jeton në të njëjtën ndërtesë.

Mes rrëmujës, një i afërm 15-vjeçar, Mohammad Abdel-Al, vrapoi në errësirë me pizhamet e tij drejt shtëpisë, tha gjyshi i tij Hatem. Ushtarët izraelitë e qëlluan për vdekje. Një fqinj, që ndodhej në ballkonin e tij, mbeti i plagosur. Ushtria izraelite tha se për këtë rast kishte ndaluar komandantin e një grupi militant lokal.

Në një incident tjetër, trupat izraelite ndaluan tre fermerë nga Halta gjatë një bastisjeje në një fshat të afërt. Sipas mediave libaneze, ata janë mes të paktën tetë personave të ndaluar nga trupat izraelite që nga marsi. Ushtria izraelite thotë se ata dyshoheshin për përfshirje në aktivitete militante dhe plane kundër trupave të saj. “Ende nuk e dimë pse i rrëmbyen.

Ndoshta për të mbjellë frikë në fshat dhe për të dërguar mesazhin se ata i shohin të gjithë”, thotë Issa Abdel-Al, udhëheqësi i komunitetit. “Këtu është bërë si në Bregun Perëndimor,” shtoi ai, duke iu referuar territorit palestinez të pushtuar. “Unë vetëm dua të di fatin e tij”, thotë Al-Qaderi, e cila nuk ka marrë asnjë lajm për djalin e saj që prej momentit kur u mor me forcë.

Burimi: Koha