Nga dita në ditë, shoqëria moderne po përballet me një nga sëmundjet më të rrezikshme morale të kohës sonë: indiferencën. Një epidemi e heshtur, e padukshme në statistika, por e dukshme në çdo rrugë, institucion, lagje dhe marrëdhënie njerëzore. Ajo nuk shpërthen me zhurmë, por depërton ngadalë në ndërgjegjen kolektive, derisa njeriu mësohet të jetojë me të keqen sikur të ishte normale.
Indiferenca nuk është thjesht mungesë reagimi. Ajo është lodhje morale, dorëzim qytetar dhe heqje dorë nga përgjegjësia ndaj jetës së përbashkët. Është ai moment kur njeriu sheh padrejtësinë dhe zgjedh të heshtë; kur sheh abuzimin dhe kthen kokën mënjanë; kur sheh rrënimin e hapësirës publike dhe bind veten se nuk ia vlen të përfshihet.
Kjo është filozofia moderne e tërheqjes: të jetosh pranë problemit pa e ndjerë më detyrimin për ta kundërshtuar. Kështu nis degradimi i përditshëm i shoqërisë. Fillimisht me gjëra të vogla, pothuajse të parëndësishme në dukje. Një qese mbeturinash e hedhur në hyrje të pallatit. Një makinë e parkuar mbi trotuar. Një radhë e shkelur në spital apo në institucionet publike.
Një zhurmë arrogante që cenon qetësinë e të tjerëve. Dhe ne kalojmë pranë tyre duke menduar: “ç’më duhet mua?”. Por shoqëritë nuk rrënohen menjëherë nga skandalet e mëdha. Ato konsumohen ngadalë nga pranimi i përditshëm i së gabuarës.
Sepse pas qeses së mbeturinave vjen pylli i djegur; pas trotuarit të zaptuar vjen prona publike e grabitur; pas heshtjes për një padrejtësi të vogël vjen normalizimi i padrejtësive të mëdha. “Ç”më duhet mua” është filozofia e nënshtrimit modern. Ky qendrim nuk lind gjithmonë nga frika. Shpesh lind nga bindja se asgjë nuk ndryshon. Nga humbja e besimit se fjala e qytetarit ka vlerë.
Nga lodhja kolektive që i shtyn njerëzit të mbyllen në jetën e tyre private dhe të heqin dorë nga hapësira publike. Por pikërisht këtu qëndron tragjedia e shoqërive të lodhura: ato nuk pushtohen vetëm nga arroganca e pushtetit apo nga forca e abuzuesve, por edhe nga heshtja e njerëzve të ndershëm.
Historia njerëzore e ka provuar vazhdimisht se padrejtësitë më të mëdha nuk kanë triumfuar sepse kanë qenë të pamposhtshme, por sepse shumica ka zgjedhur komoditetin e heshtjes. Filozofët klasikë e kanë konsideruar indiferencën si një formë bashkëfajësie morale. Ai që sheh të keqen dhe nuk reagon, edhe pa dashur, i krijon asaj hapësirë për t’u rritur.
Një shoqëri nuk humbet moralin e saj brenda natës. Ajo e humbet pak nga pak, kur qytetarët fillojnë të jetojnë si spektatorë dhe jo si pjesëmarrës. Kur njerëzit mendojnë se përgjegjësia e tyre mbaron te dera e shtëpisë. Kur publiku shndërrohet në turmë pasive dhe jo në bashkësi me vetëdije qytetare. Në këtë kuptim, reagimi qytetar nuk është luks dhe as heroizëm. Është detyrim moral.
Të reagosh nuk do të thotë të jetosh në konflikt me gjithçka, por të mos pranosh normalizimin e së gabuarës. Do të thotë të ruash aftësinë për t’u shqetësuar. Të mos lejosh që padrejtësia të bëhet rutinë. Shoqëria ka nevojë për njerëz të ditur, por akoma më shumë ka nevojë për njerëz me kurajë qytetare. Sepse dija pa kurajë prodhon heshtje të rafinuar.
Ndërsa reagimi i arsyetuar mbron dinjitetin publik. Vetëm qytetari që pyet, kundërshton dhe kërkon llogari e mban gjallë demokracinë. Përndryshe, demokracia mbetet vetëm procedurë formale, ndërsa jeta publike bie në duart e arrogancës dhe abuzimit.
Edhe vendimet më teknike, si ato për menaxhimin e mbetjeve apo organizimin e jetës urbane, nuk mund të imponohen si urdhra të panegociueshëm mbi qytetarët. Problemi nuk qëndron vetëm te përmbajtja e një vendimi, por te mënyra si trajtohet qytetari: si partner që dëgjohet apo si subjekt që vetëm bindet.
Kur pushteti humbet aftësinë për të dialoguar dhe qytetari humbet guximin për të reaguar, lind një shoqëri e heshtur, ku të gjithë ankohen privatisht, por askush nuk flet publikisht. Paradoksi i kohës sonë bëhet edhe më i dukshëm në epokën e rrjeteve sociale. Kurrë njerëzit nuk kanë pasur kaq shumë mundësi për të folur, dhe megjithatë kaq shumë frikë për të thënë gjërat thelbësore.
Shpesh banaliteti, vulgariteti dhe agresiviteti bëhen “trend”, ndërsa reflektimi, qytetaria dhe përgjegjësia konsiderohen naivitet. Kjo është një nga krizat më të mëdha morale të kohës sonë: mpirja graduale e ndërgjegjes. Megjithatë, shpresa nuk ka vdekur. Ajo jeton te njerëzit që refuzojnë të thonë “ç’më duhet mua?”.
Te ata që reagojnë edhe për një padrejtësi të vogël, sepse e kuptojnë se çdo e keqe e madhe fillon nga tolerimi i një të keqeje të vogël. Janë njerëzit që nuk e ndajnë jetën në interesa private dhe interesa publike, sepse e dinë se shoqëria është një organizëm i përbashkët: kur sëmuret ndërgjegjja publike, askush nuk mbetet i paprekur. Në fund, indiferenca nuk është neutralitet.
Është zgjedhje. Dhe shpeshherë zgjedhja më e rrezikshme që mund të bëjë një shoqëri. Sepse qytetërimet nuk bien vetëm nga ata që bëjnë keq, por edhe nga ata që heshtin përballë së keqes. Prandaj, mbrojtja e jetës publike nis nga gjërat më të vogla: nga reagimi, nga përgjegjësia dhe nga guximi për të mos kaluar mënjanë.
Sepse momenti kur njeriu thotë “ç’më duhet mua?”, është momenti kur fillon të humbasë jo vetëm shoqëria, por edhe vetë qytetari.
