Pas disa ditësh debatesh dhe konfuzioni rreth së ardhmes së tij, sulmuesi Bleart Tolaj ka reaguar me një postim të gjatë, duke marrë përgjegjësinë për situatën e krijuar dhe duke sqaruar se është lojtar i Gjilanit, ndërsa me mirëkuptimin e të gjitha palëve do të luajë edhe dy ndeshje evropiane me Ballkanin.
Pas disa ditësh që ishte në qendër të vëmendjes së opinionit sportiv në Kosovë, Bleart Tolaj ka vendosur të japë versionin e tij lidhur me situatën që shkaktoi shumë diskutime në futbollin kosovar. Gjithçka nisi pasi Gjilani e prezantoi zyrtarisht sulmuesin si përforcimin më të ri për sezonin e ardhshëm, ndërsa pak më vonë Ballkani publikoi njoftimin se kishte rinovuar kontratën me të.
Dy komunikimet zyrtare krijuan paqartësi të madhe, duke nxitur reagime të shumta nga tifozët dhe opinionistët sportivë. Çmenduri në Superligë: Gjilani e prezanton, Ballkani e “rikthen” me kontratë të re – Bleart Tolaj mes dy njoftimeve zyrtare Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tolaj ka marrë përgjegjësinë për konfuzionin e krijuar, duke kërkuar mirëkuptim nga publiku dhe duke theksuar se nuk ka pasur asnjëherë qëllim të vendosë ndonjërin klub në pozitë të vështirë.
Sulmuesi ka bërë të ditur se zyrtarisht është lojtar i Gjilanit, por se me mirëkuptimin e të gjitha palëve do ta ndihmojë Ballkanin në dy ndeshjet e radhës në Ligwn e Konferencës, përpara se t’i bashkohet plotësisht skuadrës gjilanase.
Ai gjithashtu ka shprehur mirënjohje të veçantë për Ballkanin, duke falënderuar drejtuesit, stafin, bashkëlojtarët dhe tifozët për mbështetjen gjatë periudhës së kaluar, ndërsa ka falënderuar edhe Gjilanin për besimin e dhënë. Postimi pa ndërhyrje i Bleart Tolaj Dua t’i drejtohem opinionit publik për të sqaruar situatën që është krijuar ditëve të fundit rreth meje.
Së pari, dua të bëj të qartë se unë zyrtarisht jam lojtar i Gjilanit. Jam i lumtur për këtë hap në karrierën time dhe i përkushtuar maksimalisht për të dhënë gjithçka për fanellën e klubit. Ndjej obligim ta pranoj se përgjegjësia për konfuzionin e krijuar bie mbi mua. Më vjen keq që situata u zhvillua në këtë mënyrë dhe që krijoi paqartësi në opinion.
Nuk kam pasur asnjëherë qëllim të krijoj polemika apo të vendos ndonjë klub në një pozitë të vështirë. Ballkani, duke e parë situatën e krijuar dhe duke menduar mbi të gjitha për të mirën time dhe vazhdimësinë e karrierës sime, ka treguar mirëkuptim dhe më ka liruar.
Ky është një veprim që e vlerësoj jashtëzakonisht shumë dhe do t’i jem gjithmonë mirënjohës klubit, drejtuesve, stafit, bashkëlojtarëve dhe tifozëve për gjithçka që kemi përjetuar së bashku. Me mirëkuptimin e të gjitha palëve, do të angazhohem për ta ndihmuar Ballkanin në dy ndeshjet e radhës në Conference League.
Pas përfundimit të këtij angazhimi, do t’i bashkohem plotësisht Gjilanit, ku do të jem i fokusuar maksimalisht për të dhënë më të mirën dhe për të justifikuar besimin që më është dhënë. Falënderoj sinqerisht të dy klubet për korrektësinë dhe respektin që kanë treguar ndaj meje.
Ballkani do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time dhe jam i bindur se marrëdhënia jonë do të mbetet gjithmonë e bazuar në respekt, mirënjohje dhe miqësi. Do të mbesim gjithmonë miq, duke i uruar njëri-tjetrit vetëm suksese në rrugëtimin tonë. Kërkoj mirëkuptim nga të gjithë për situatën e krijuar dhe shpresoj që me këtë sqarim të mbyllet çdo keqkuptim.
Tani fokusi im është vetëm te futbolli, puna dhe respektimi i çdo detyrimi që kam marrë përsipër. Faleminderit për mbështetjen. / Telegrafi
