Heronjtë e luftës dhe profiterët e kapitalizmit

0%

Prej afro një muaji, rrugët e Tiranës janë mbushur me protestues. Protesta në Tiranë është një kauzë e mirëfilltë politike që synon rrëzimin e qeverisë Rama për shkak të keqqeverisjes. Megjithëse Zvërneci u përdor si shkëndijë, ajo u zhvendos në Tiranë dhe u përdor si shtysë për t’i shpërfaqur haptas të këqijat që janë mbledhur ndër vite.

Në vend që i pari i shtetit shqiptar të merr përgjegjësi, ai ka zgjedhur t’iu shpallë “luftë” protestuesve. Dita-ditës, i gozhdon, ofendon dhe i kryqëzon ata sipas tekave të tij personale. Së fundmi, goditja mori një dimension ndryshe. Kuptohet, jo pa qëllim.

Kryeministri i Shqipërisë publikoi një letër, duke aluduar se disa shqiptarë nga Shqipëria kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës kundrejt pagesave. Postimi u shpërnda edhe nga njëri prej ministrave të tij. Përmes këtij pretendimi, u atakuan direkt disa nga atdhetarët që dhanë gjithçka për çlirimin e Kosovës nga forcat pushtuese të Serbisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Megjithatë, siç shihet edhe nga pamjet, letra e shkruar me dorë ngre dyshime të mëdha mbi vërtetësinë dhe autenticitetin e saj. Sipas raportimeve mediale, fillimisht sulmi u drejtua ndaj Dritan Goxhajt, djalit të Dilaver Goxhajt. Në vazhdën e këtij sulmi u shënjestrua ky i fundit, kolonel dhe ushtarak i njohur në luftën e Kosovës.

Por idiotësia nuk përfundon këtu, aty u përmend edhe emri i një prej heronjve më të mëdhenj të historisë sonë, Tahir Sinanit. ‘Helbetna’, për ata që nuk e dinë, Tahir Sinani rridhte nga Tropoja, një trevë që i ka dhënë historisë trima të panumërt në mbrojte të Kombit. Ishte Oficer i Ushtrisë Shqiptare dhe Komandant i Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë.

Tahiri la pas çdo gjë në Shqipëri dhe u rreshtua në luftën e Kosovës në momentet më ekzistenciale për Kosovën. Ai mori pjesë në beteja frontale kundër armikut, duke dalë triumfues në secilën prej tyre. Kur Kosova u çlirua dhe disa komandantë nisën përvetësimin e pronave gjithandej vendit, Tahir Sinani zgjodhi rrugën e vështirë: vazhdoi luftën për Shqipërinë Etnike.

Luftoi në Kosovë, luftoi në Luginën e Preshevës dhe luftoi në Maqedoni. Në këtë pikë, Tahir Sinani është modeli, shembulli dhe busulla orientuese që duhet ta ndjekin breznitë e së ardhmes sepse lavdia u përket atyre që e zgjodhën besnikërinë e përjetshme ndaj idealit! Një tjetër problematikë e kohëve të fundit buron nga OVL e UÇK-së.

Krerët e kësaj organizate kanë bërë thirrje të paktën dy herë që simbolet e UÇK-së të mos përdoren në protestat që po zhvillohen në Tiranë. Këtu duhet folur troç: UÇK-ja dhe simbolet e saj i përkasin mbarë Kombit Shqiptar. Rreth kësaj ushtrie u bashkuan shqiptarët nga të gjitha anët me një qëllim të vetëm: Lirinë e Atdheut.

Prandaj, ajo nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë pronë private e asnjë individi apo organizate. Ne nuk mund të harrojmë se, historia ka një rregull të artë që nuk dështon kurrë: ajo i njeh, i dokumenton dhe në fund i gjykon të gjithë. Për fund, heronjtë nuk hetuan një gjë paslufte: kapitalizmin. Kapitalizmi nuk ka heronj.

Ndaj nuk panë që anise janë meritorë të përballjes, nuk janë kreatorë të lojës. E loja në të cilën u kalua quhej kapitalizëm. Kapitalizmi është sistem botëror, jo institucion vendor a lokal. Kapitalizmi vjen me tezën se fija ekonomike e quajtur tregtim e përfitim është shtresimi më natyror i identitetit të njeriut. Me fjalë të tjera që shoqëria/njeriu është ekonomi. E pavërtetë.

Arkeologjia dhe antropologjia bashkëkohore e kanë dëshmuar të kundërtën. Mirëpo e kotë për komandantët. Këta nuk arritën ta kuptojnë që janë brenda një sistemi që nuk e dallon Reçakun dhe Kraljevën. Që nuk e dallon Ekrem Llukën me Adem Jasharin. Që nuk e dallon artin nga prostituimi/promiskuiteti. Që nuk e dallon rajonin nga Atdheu.

Burimi: Bota Sot