Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, përmes një postimi ka reaguar pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ajo e cilësoi këtë si përmbyllje të një procesi të rëndësishëm demokratik, duke shprehur mirënjohje për institucionet zgjedhore dhe të gjithë ata që kontribuuan në mbarëvajtjen e tij, përcjell “Bota sot”. Haxhiu bëri të ditur se, në përputhje me Kushtetutën, seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit ligjor për të hapur rrugën e formimit të institucioneve të reja.
Ajo theksoi se besimi i qytetarëve përfaqëson një përgjegjësi të madhe dhe kërkon integritet, llogaridhënie dhe përkushtim në shërbim të interesit publik. Postimi i plotë Sot, me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmbyllet një proces i rëndësishëm demokratik për Republikën tonë.
Vullneti i qytetarëve, i shprehur me votë brenda vendit dhe nga bashkatdhetarët tanë, ka marrë tashmë formën e tij përfundimtare institucionale. Shpreh mirënjohjen time për institucionet zgjedhore dhe për të gjithë ata që, me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim, kontribuuan në mbarëvajtjen dhe përmbylljen e këtij procesi.
Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke hapur rrugën për themelimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve. Besimi i dhënë nga qytetarët është një përgjegjësi e madhe.
Çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim të palëkundur në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës sonë.
