Shpërndaje në: Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, synon krijimin e një “Republike të tretë”. Sipas tij, moszbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese tregon synimin për të ndryshuar rendin kushtetues. “Kurti do ta bëjë Republikën e tretë. Republika e tretë duhet ta ketë një Kushtetutë.
Në momentin që nuk i zbaton aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, do të thotë se ti do ta përmbysësh atë rend. Gjykatën Kushtetuese e kanë terrorizuar, gjykatësit i kanë thirrur me emra, nën çdo nivel ka qenë. Me këto veprime nuk po e fsheh”, ka thënë Hasani.
Duke folur për rëndësinë e Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së Kosovës, Hasani tha se Deklarata e Pavarësisë është një akt i njëanshëm juridik në aspektin ndërkombëtar. “Deklarata e Pavarësisë në aspektin ndërkombëtar është akt i njëanshëm juridik. Përmes këtij akti, që bëhet me gojë ose me shkrim, dhe kur e thua këtë, çdo shtet ka të drejtë të të çojë në gjyq”, ka thënë ai.
Hasani theksoi se sundimi i ligjit është parim themelor i rendit juridik evropian dhe se, sipas tij, ai është mishëruar në Deklaratën e Pavarësisë dhe në Kushtetutën e Kosovës. “Ne jetojmë në Evropë, ku sundimi i ligjit është i shenjtë. Kjo nënkupton që këto i ka mishëruar Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta jonë.
Në mesin e sundimit të ligjit është mosdiskriminimi dhe barazia e të gjithëve para ligjit. Kjo është ‘ABC-ja’ e kulturës juridike perëndimore. Nëse ne duam njëanshëm t’ua imponojmë pakicave vullnetin e shumicës, jam i bindur që do të ketë probleme”, është shprehur ai. Ai shtoi se ndryshimi i Kushtetutës nuk mund të bëhet pa mbështetjen e komuniteteve joshumicë.
“Nuk është ashtu siç po thonë, se pa serbë Kushtetuta ndërrohet me dy të tretat e dyfishta, shqiptarët dhe joshqiptarët. Krejt joshqiptarët dhe katër apo pesë serbë”, ka deklaruar Hasani.
