Hasani: Beteja e Kosovës nuk ishte vetëm serbe, shqiptarët ishin pjesë e koalicionit ballkanik

0%

Me rastin e shënimit të 637-vjetorit të Betejës së Kosovës, profesori Mentor Hasani dhe studentët e Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës organizuan një aktivitet para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ku prezantuan ilustrimin “Një Betejë, shumë pikëpyetje”, me synimin për të nxitur debat mbi interpretimin historik të kësaj ngjarjeje.

Profesori Hasani tha se aktiviteti synon të paraqesë fakte dhe argumente historike për mënyrën se si historiografia, Kisha dhe politika serbe e kanë interpretuar dhe instrumentalizuar Betejën e Kosovës gjatë dekadave. Sipas tij, kjo ngjarje duhet të trajtohet mbi bazën e burimeve historike dhe jo përmes interpretimeve politike që kanë ndërtuar narrativa kombëtare.

Hasani theksoi se përpjekjet për ta shndërruar Betejën e Kosovës në një simbol kombëtar serb nisën që në vitin 1889, me rastin e 500-vjetorit të saj. Ai tha se, ndonëse ishte planifikuar organizimi i aktiviteteve përkujtimore, dokumentet zyrtare osmane tregojnë se autoritetet e kohës nuk lejuan zhvillimin e tyre në formën e parashikuar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Profesori shtoi se forma moderne e asaj që njihet si “Miti i Kosovës” u konsolidua gjatë shekullit XIX, veçanërisht përmes veprës “Kunora e Maleve” të Petar II Petroviq-Njegoshit.

Sipas Hasanit, pikërisht në vitin 1889 nisi edhe përpjekja për ta lidhur kujtesën e Betejës së Kosovës me Vidovdanin, duke e shndërruar gradualisht ngjarjen nga një betejë mesjetare në një nga mitet më të fuqishme politike të Ballkanit modern.

Ai vlerësoi se interpretimi i betejës si simbol kombëtar serb u bë themeli i të ashtuquajturit “Mit i Kosovës”, një narrativë që, sipas tij, paraqet serbët si një popull me një mision të veçantë historik.

Hasani theksoi se në ndërtimin e këtij miti rol të rëndësishëm ka luajtur edhe tradita folklorike, veçanërisht rrëfimi i njohur si “Darka e Lazarit”, i ndërtuar sipas modelit të Darkës së Fundit të Krishtit.

Beteja e Kosovës u zhvillua në qershor të vitit 1389 ndërmjet Perandorisë Osmane dhe një aleance të gjerë popujsh ballkanikë dhe konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë mesjetare të rajonit./KP.

Burimi: Telegrafi