Zvicra e pret me entuziazëm sfidën e madhe ndaj Argjentinës në çerekfinalen e Kampionatit Botëror, që zhvillohet në natën mes së shtunës dhe së dielës (03.00) në Kansas City. Pas triumfit me penallti (4:3) ndaj Kolumbisë, te zviceranët nuk mbizotëron frika, por dëshira për t’u përballur me kampionin në fuqi të botës dhe me yllin legjendar, Lionel Messi.
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, e cilësoi si privilegj mundësinë për të luajtur sërish kundër Messit. “Është privilegj të luash në epokën e Messit dhe Ronaldos, ata janë dy nga futbollistët më të mëdhenj në histori. Tani do të kem mundësinë të luaj edhe një herë kundër Messit, pas ndeshjes së vitit 2014, kur ishim shumë pranë t’i eliminonim.
Deri tani nuk kemi pasur mundësi ta analizojmë Argjentinën në detaje, sepse fillimisht duhej të bënim hapin tonë. Nga nesër do ta analizojmë shumë thellësisht, me shpresën që të bëjmë edhe hapin e radhës”, deklaroi Xhaka, transmeton media zvicerane “Blick”.
Argjentina siguroi kualifikimin në çerekfinale vetëm pas një përmbysjeje dramatike 3:2 ndaj Egjiptit, ndërsa Zvicra eliminoi Kolumbinë.
