Një grabitje e rëndë ka ndodhur në një vilë në pronësi të familjes së tenorit italian Andrea Bocelli në Forte dei Marmi, në Itali, ku hajdutët dyshohet se kanë marrë sende me vlerë që arrijnë deri në 500 mijë euro. Sipas mediave italiane, vila ishte dhënë me qira për një familje amerikane, e cila ndodhej jashtë banesës në momentin e grabitjes.
Autorët kanë hyrë në objekt gjatë mbrëmjes dhe kanë marrë bizhuteri, ora luksoze, para në dorë, çanta të markave të njohura dhe sende të tjera me vlerë. Hetimet paraprake kanë treguar se dera e vilës nuk ishte mbyllur siç duhet, ndërsa sistemi i alarmit nuk ishte aktivizuar, rrethana që dyshohet se ua ka lehtësuar hyrjen hajdutëve.
Policia italiane ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe po analizon pamjet e kamerave të sigurisë, si dhe prova të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
