Gazetari i famshëm italian me shkrim të veçantë për Albion Rrahmanin:

0%

Venezia po vazhdon të ndërtojë skuadrën për sezonin e ri në Serie A dhe pas disa afrimeve të rëndësishme, klubi italian duket se është gati të mirëpresë edhe sulmuesin e Kosovës, Albion Rrahmani.

Pas largimit të Doumbias te Sporting, skuadra e Giovanni Stroppas ka afruar emra si Toma Basic, Mikael Ishak Helgason, Lisman, Armel Bella-Kotchap dhe Correia, ndërsa tani vëmendja është përqendruar te reprezentuesi kosovar, i cili ka kaluar dy sezone të suksesshme te Sparta e Pragës. Gazetari i famshëm italian Gianluca di Marzio ka bërë një shkrim të gjatë për karrierën e Rrahmanit.

“Rrahmani e nisi rrugëtimin e tij në futboll te Llapi, klubi i qytetit të tij të lindjes, Podujeva, para se të kalonte në disa skuadra të tjera dhe më pas te Ballkani në vitin 2021”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Sulmuesi i lindur më spikati menjëherë në elitën e futbollit kosovar falë lëvizshmërisë së tij, aftësisë për të luajtur me të dyja këmbët dhe forcës në lojën ajrore, pavarësisht gjatësisë prej 188 centimetrash”.

“Edhe pse niveli i Superligës së Kosovës konsiderohet ndër më të ulëtit në federatat e UEFA-s, Rrahmani la gjurmë të mëdha me fanellën e Ballkanit, duke regjistruar 34 gola dhe nëntë asistime në 68 paraqitje, ndërsa fitoi dy tituj kampioni dhe dy herë u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit”.

“Paraqitjet e tij bindën Rapid Bukureshtin që ta transferonte në verën e vitit 2023 dhe edhe aventura në Rumani rezultoi mjaft e suksesshme”. “Në sezonin e tij të vetëm në futbollin rumun, Rrahmani realizoi 18 gola dhe gjashtë asistime në 29 ndeshje, pavarësisht se skuadra e tij e mbylli kampionatin vetëm në vendin e gjashtë”.

“Në verën e kaluar, Sparta e Pragës investoi pesë milionë euro për kartonin e tij dhe sulmuesi kosovar nuk vonoi për ta justifikuar besimin e klubit çek”. “Debutimi i tij në kampionatin çek erdhi pikërisht në ditëlindjen e tij të 24-t, një ditë që vetë lojtari e ka cilësuar si më të bukurën e jetës së tij deri më tani, pasi e shënoi me gol dhe asistim në fitoren 2-0 ndaj Kraloves”.

“Rrahmani ishte vendimtar edhe në ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve ndaj Malmos, ndërsa më pas arriti të shënonte edhe në fazën e ligës ndaj Feyenoordit”. “Aventura e tij te Sparta e Pragës u mbyll me 26 gola dhe gjashtë asistime në 83 paraqitje, ndërsa tani sulmuesi kosovar duket i gatshëm për hapin e radhës në karrierë: Serie A me fanellën e Venezias”, shkroi ai.

Ndërkohë, Venezia pritet të paguajë rreth 7 milionë euro për ta kompletuar afrimin e Rrahmanit./ Telegrafi

Burimi: Telegrafi