Flasin nga Komisioni për Persona të Zhdukur: Verifikimi i varrezave

0%

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se është në dijeni të deklarimeve publike të aktivistes për të drejtat e njeriut Natasha Kandić dhe se çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë trajtohet me seriozitet të lartë. “Në dijeni të deklarimeve publike të znj.

Natasha Kandić, Komisioni vlerëson çdo informacion që mund të kontribuojë në ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë. Edhe lokacionet e përmendura vazhdojnë të jenë në mesin e zonave me interes dhe prioritet për verifikim”, thotë për ‘Bota sot’, Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë në Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Gara thekson se përvoja e deritanishme në hetimin e varrezave masive ka treguar se në disa raste struktura shtetërore janë përdorur për fshehjen e trupave të viktimave të luftës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë në Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur “Përvoja jonë, përfshirë konfirmimin e deri më tani pesë varrezave masive në territorin e Serbisë, ka dëshmuar se objekte dhe struktura nën kontrollin e aparatit shtetëror serb janë përdorur për fshehjen e trupave të viktimave të luftës” , thekson Komisioni.

Megjithatë, sipas këtij institucioni, verifikimi i lokacioneve të dyshuara mbetet një proces kompleks, veçanërisht kur bëhet fjalë për zona ushtarake me qasje të kufizuar.

“Bëhet fjalë për komplekse të mëdha ushtarake me qasje të kufizuar, prandaj verifikimi i tyre është sfidues dhe vështirësohet nga mungesa e dokumentacionit dhe mungesa e bashkëpunimit të plotë për lejimin e gërmimeve vlerësuese”, thuhet më tej.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se do të vazhdojë të kërkojë qasje në të gjitha informacionet dhe arkivat relevante, në kuadër të zotimeve ndërkombëtare për këtë çështje.

“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë qasje në dokumentacionin e ish-Ushtrisë Jugosllave dhe institucioneve relevante të Serbisë, në përputhje me Deklaratën e Përbashkët për Personat e Zhdukur të 2 majit 2023. Vetëm përmes kësaj qasjeje mund të avancojë procesi i zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”, thuhet në reagim.

Burimi: Bota Sot