Teksa vendi është përfshirë prej mbi një muaji nga protestat masive të nisura si pasojë e dhunimit të një qytetari në Zvërnec, nga rojet private të një kompanie sigurie, çdo ditë e më shumë po flitet për investimet pa transparencë dhe konsultim publik që janë kryer ndër vite ose edhe vitet e fundit nga qeveria “Rama”.
Investimet strategjike, PPP-të dhe koncesionet e ndryshme kanë qenë shpesh objekt debatesh të forta në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës. Një nga këto episode është edhe fjalimi i ish-deputetit demokrat Ervin Salianji në sallën e Kuvendit ku i rendit qeverisë investimet, përfshirë edhe atë në ishullin e Sazanit apo në zonën arkeologjike të Butrintit.
Fjalimi është i para dy viteve, në një kohë kur tema flitej shumë pak dhe e vetmja që fliste ishte propaganda qeveritare si për investimet ashtu edhe për problematikat e tjera si PPP-të në shëndetësi apo rezultatet e dobëta në sistemin arsimor. Postimi i Salianjit: “E keni kthyer dhe e keni trajtuar Shqipërinë si një kafshatë që po e hani përditshëm. E dini ju sesi po e hani Shqipërinë?
Ishulli i Sazanit qindra vite i paprekur, po e hani ju për drekë, Edi Rama se ju të tjerët nuk e di se çfarë ju mbetet nga dreka. Mijëra veta ai ishull vjen ai dhe e ha për drekë. Butrinti mijëra vjet i paprekur, një kafshatë e merrni ju. Diskutoni këtu për porte të rinj, për 400 miionë euro investim, por çfarë portesh keni ju sot?
Portin e Limionit ua dhatë oligarkëve, Portin e Durrësit nuk dihet se kujt, por e keni fshehur pas Alabarit, Portin e Vlorës po ashtu e keni dhënë për të bërë resorte, çfarë portesh menaxhon ky shtet? Aeroportet i keni dhënë me kohë dhe nuk keni ndonjë interes tjetër përveç sesi të dalë më mirë aeroporti, reklamë qeveritare pafund.
Rrugët që u bënë një pjesë e madhe gjatë qeverisjes së PD nuk menaxhohen më dhe nuk janë falas, po i bëni me pagesë, siç bëtë rrugën e “Kombit” dhe e keni propozuar për çdo rrugë tjetër. Sistemi arsimor, PISA. Më shtrembër sistemi arsimor i Shqipërisë sesa kulla e Pizës, në fund e keni çuar. Çfarë kontrolli keni ju në shëndëtësi?
Katër koncesione kemi kërkuar të hetohen, tre prej tyre janë në SPAK dhe të treja nuk prodhojnë asnjë cilësi për sistemin shëndetësor të qytetarëve, prodhojnë miliona lekë për oligarkët dhe pasurojnë një grusht njerëzish në këtë vend”, deklaronte Salianji në Kuvend.
