Fjala e Marta Kos në Parlamentin Europian: Shqipëria ka përmbushur IBAR, një hap që mbyll negociatat

0%

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian, duke veçuar Shqipërinë për hapat e fundit të ndërmarrë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Gjatë fjalës së saj në Parlamentin Evropian, Kos tha se Shqipëria ka përmbushur standardet e përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), një zhvillim që i hap rrugën nisjes së procesit për mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian. “Shqipëria ka bërë së fundmi një hap të rëndësishëm përpara, duke përmbushur standardet e përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), çka i mundëson vendit të nisë mbylljen e kapitujve.

Megjithatë, mbetet ende shumë punë për t’u bërë”, deklaroi Kos. Ajo theksoi se Bashkimi Evropian dëshiron të shohë progres të ngjashëm edhe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se aktualisht ekziston një mundësi reale për të avancuar drejt anëtarësimit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas saj, liderët e rajonit kanë riafirmuar angazhimin për integrimin evropian gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tivat të Malit të Zi.

Komisionerja evropiane u ndal edhe te progresi i Malit të Zi, duke kujtuar se vendi ka mbyllur përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë negociues, ndërsa Këshilli i BE-së ka nisur hartimin e traktatit të anëtarësimit, një proces që nuk ishte parë që nga negociatat e Kroacisë për anëtarësim.

Kos ritheksoi se procesi i zgjerimit mbetet i bazuar në meritë dhe se Komisioni Evropian është i gatshëm të mbështesë çdo vend që përmbush reformat e kërkuara dhe harmonizon politikat e tij me ato të Bashkimit Evropian. “Komisioni Evropian është i gatshëm të ecë përpara me të gjitha këto vende, nëse ato përmbushin angazhimet e tyre për reforma dhe tregojnë përafrim të mjaftueshëm me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si edhe me politikën e vizave”, tha ajo.

Në fund, Kos theksoi se edhe Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimet ndaj vendeve kandidate, duke nënvizuar se dhënia e statusit kandidat përbën një angazhim të ndërsjellë mes BE-së dhe vendeve aspirante për anëtarësim./Telegrafi.

Burimi: Telegrafi