Fitimtarët pa betejë!

0%

Ka një paradoks që përsëritet pothuajse në çdo kthesë të madhe historike: ata që sakrifikojnë më shumë rrallë janë ata që përfitojnë më shumë. Në vend të tyre, në skenë shfaqen “fitimtarët pa betejë”, njerëz që nuk kanë mbajtur asnjë barrë, nuk kanë marrë asnjë rrezik dhe, në jo pak raste, kanë qenë pengues të ndryshimit.

Por, sapo historia ndryshon drejtim, ata bëhen të parët në radhën e përfitimeve. Ky fenomen nuk është rastësi. Ai është produkt i një kulture ku pushteti shpërblen oportunizmin më shumë sesa meritën. Në shoqëri me institucione të dobëta, kujtesë të shkurtër dhe mungesë llogaridhënieje, kontributi i vërtetë zëvendësohet nga aftësia për t’u afruar me qendrën e pushtetit në momentin e duhur.

Historia shqiptare nuk ka qenë përjashtim. Në çdo periudhë tranzicioni kanë dalë në pah individë që dje heshtnin, justifikonin padrejtësinë ose përfitonin prej saj, ndërsa sot paraqiten si autorë të ndryshimit. Ata rishkruajnë biografitë e tyre, ndryshojnë bindjet me një lehtësi të habitshme dhe, falë lidhjeve politike apo ekonomike, zënë vendet që shpesh u takonin njerëzve të sakrificës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërkohë, ata që mbajtën peshën e vërtetë të ndryshimit mbeten në harresë. Ata nuk kanë media, nuk kanë klientela politike dhe nuk kërkojnë privilegje. Shpesh historia i kujton vetëm kur nuk përbëjnë më rrezik për askënd.

Një shoqëri që lejon këtë përmbysje të vlerave prodhon një mesazh të rrezikshëm: nuk ia vlen të sakrifikosh; mjafton të presësh momentin e duhur për t’u rreshtuar me fituesin. Ky është fillimi i degradimit moral të një kombi. Prandaj, matësi i vërtetë i një demokracie nuk është vetëm ndryshimi i pushtetit, por mënyra se si ajo nderon ata që e bënë të mundur atë ndryshim.

Nëse heronjtë mbeten në hije dhe oportunistët ngjiten në piedestal, atëherë historia nuk ka ndryshuar; kanë ndryshuar vetëm përfituesit e saj. Një komb që harron sakrificën dhe shpërblen oportunizmin nuk ndërton elitë. Ai ndërton vetëm një kastë përfituesish që pret me durim kthesën e radhës historike për të ndryshuar maskën, por kurrë mënyrën e të vepruarit.

Burimi: Bota Sot