Nxënësit e një shkolle fillore në qendër të Japonisë po marrin pjesë në një program edukues për ndërgjegjësimin ndaj arinjve, me qëllim që të mësojnë si të sillen në mënyrë të sigurt pranë këtyre kafshëve të egra, pasi shfaqjet e tyre në zonë vazhdojnë të jenë të shpeshta.
Programi zhvillohet në Shkollën Fillore Ina West, në prefekturën Nagano, ku çdo dy vjet organizohen mësime të posaçme për sigurinë. Gjatë tyre, nxënësit kanë mundësinë të shohin nga afër qime, kafka dhe putra të vërteta arinjsh, ndërsa ekspertët e jetës së egër u shpjegojnë sjelljen e tyre, mënyrën e ushqyerjes dhe arsyet pse këto kafshë ndonjëherë hyjnë në zona të banuara.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se arinjtë mund ta humbin frikën nga njerëzit nëse ushqehen me mbeturina të hedhura nga banorët, gjë që rrit rrezikun e përballjeve me ta, raporton Euronews, përcjell Sinjali. Ky program pasqyron realitetin e përditshëm në qytetin Ina, ku shfaqjet e arinjve janë të zakonshme.
Për këtë arsye, shkolla ka vendosur masa shtesë sigurie, duke u kërkuar prindërve t’i dërgojnë fëmijët me automjete në shkollë dhe duke përdorur autobusë të posaçëm kur raportohen vazhdimisht arinj pranë zonës. Programi zhvillohet në një kohë kur sulmet e arinjve në veri të Japonisë kanë shkaktuar të paktën pesë viktima që nga muaji prill.
Megjithatë, në prefekturën Nagano nuk është raportuar asnjë rast me pasoja fatale. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
