Ylli i ri i Real Madridit, Endrick, ka folur për raportin e afërt me bashkëlojtarin e tij te Brazili, Neymar, duke treguar se si po mëson nga përvoja e tij gjatë Kupës së Botës 2026. Sulmuesi i talentuar shprehu gjithashtu besim të plotë te trajneri Carlo Ancelotti, duke vlerësuar vendimet taktike të italianit, teksa Brazili përgatitet për ndeshjen e 1/8 së finales.
Sipas ESPN, Endrick foli hapur për përvojën e tij në Botëror dhe për mundësinë që ka për të mësuar nga Neymar. Edhe pse Neymar e humbi fillimin e turneut për shkak të lëndimit, dy lojtarët së fundmi kanë qëndruar pranë njëri-tjetrit edhe në stol. “Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Ney. Bëjmë shaka pas stërvitjeve, luajmë letra dhe bisedojmë. Në ditën e pushimit ishim bashkë dhe folëm.
Është shumë e rëndësishme të flasësh me njerëz që janë kapitenë të kombëtares, si Marquinhos, Casemiro dhe Alisson”, tha Endrick. Ai shtoi se marrja e përvojës nga lojtarë të tillë është diçka shumë e vlefshme. “Të marrësh përvojë prej tyre është një gjë e mrekullueshme. Janë njerëz që e kuptojnë futbollin. Të dish më shumë për këtë është shumë mirë. E njëjta gjë vlen edhe me Ney.
Ne ulemi pranë njëri-tjetrit edhe në stol. Do të përpiqem të marr maksimumin nga kjo, sepse kam ende shumë vite përpara në karrierë”, u shpreh ai. Endrick vlerësoi gjithashtu Carlo Ancelottin pas fitores 2-1 të Brazilit ndaj Japonisë në raundin e 32 më të mirave. Sulmuesi i ri la përshtypje të mira pasi u aktivizua në pjesën e dytë dhe ia dha meritat trajnerit italian.
“Ndeshja ndaj Japonisë ishte e mrekullueshme. Nuk e prisja të hyja në atë moment. Në pushim më thirrën dhe e vetmja gjë që dija të bëja ishte t’i flisja Zotit, duke kërkuar qetësi. Ishte një klikim në kokën time. Isha në stol duke brohoritur dhe në dhomat e zhveshjes më thanë se do të hyja në lojë”, tregoi Endrick.
Duke folur për ribashkimin me ish-trajnerin e tij te Real Madridi, ai tha se përvoja ka qenë e jashtëzakonshme. “Përvojë e mrekullueshme. Ai ishte trajneri im i parë në Evropë. Për mua ishte e pabesueshme. Kam mësuar shumë prej tij dhe prej stafit. Jam shumë mirënjohës dhe shumë i lumtur për këtë. Nuk ka përshtatje më të mirë sesa ta kemi atë trajner te Brazili”, tha sulmuesi.
Endrick mbetet i durueshëm për minutat e tij nën drejtimin e Ancelottit, duke besuar se trajneri e di më mirë se kushdo se kur duhet t’i japë mundësi. “Sezoni i parë me Ancelottin ishte një sezon ku luajta shumë. Pak minuta, por hyja pothuajse në çdo ndeshje. Ai gjithmonë më thoshte se koha ime do të vinte. Në Kupën e Mbretit më aktivizoi më shumë dhe munda ta ndihmoja ekipin.
Shënova gola pothuajse në çdo ndeshje”, kujtoi Endrick. “Gjithmonë kam qenë i qetë. Ai është një nga trajnerët më të mëdhenj në botë. E di shumë mirë çfarë duhet të bëjë. Në ndeshjen e fundit, lojtari që shënoi golin erdhi nga stoli. Ne mund të jemi të qetë, sepse ai gjithmonë do të bëjë atë që është më e mira për ekipin”, shtoi ai.
Endrick theksoi se Ancelotti nuk merr vendime për të favorizuar një lojtar të caktuar, por për të mirën e skuadrës. “Ai nuk do të bëjë atë që është më e mira për mua apo për Matheus Cunhan, por atë që është më e mira për ekipin. Ai bën atë që mendon dhe gjërat ndodhin. Duket sikur Zoti e shikon dhe thotë… ai është i ndriçuar. Kur më kërkon të bëj diçka, do ta bëj.
Nuk do të shikoj prapa, vetëm do ta dëgjoj zërin e tij dhe do të bëj atë që më kërkon”, d eklaroi Endrick. Duke folur për fleksibilitetin e tij në fushë, ai shtoi: “Te Lyoni e kam ndihmuar ekipin si numër nëntë, edhe në krahun e djathtë, si dhe si ‘nëntësh fals’. Ancelotti i njeh cilësitë dhe karakteristikat e mia.
Kemi kaluar një vit bashkë dhe ai gjithmonë e ka parë se si mund ta ndihmoj ekipin. Edhe këtu nuk është ndryshe.” Brazili tani përgatitet për përballjen e rëndësishme ndaj Norvegjisë të dielën, në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Botës. Me Lucas Paquetan jashtë për shkak të lëndimit dhe Raphinhan ende në dyshim, Endrick shihet si një kandidat serioz për të nisur nga minuta e parë.
Teksa faza eliminatore bëhet gjithnjë e më e ashpër, sulmuesi i ri do të synojë t’ia shpërblejë besimin Ancelottit dhe ta ndihmojë Brazilin të afrohet edhe një hap më shumë drejt lavdisë botërore.
