Ekspozita “Dalja n’ dritë” e Hazir Rekës ka rikthyer historinë e grevës së minatorëve të Trepçës e mbajtur 37 vjet më parë. Përmes kësaj ekspozite të hapur në Vilën 1925 në Prishtinë, Reka ka shpalosur me detaje grevën e minatorëve të mbajtur për tetë ditë me radhë, nga 20 deri më -të.
Rreth njëmijë e treqind minatorë të Trepçës në Mitrovicë u ngujuan në horizontet e minierës në mbrojtje të shtetësisë së Kosovës. Fotografitë e ekspozuara shpërfaqin pamjet e minatorëve të cilët për ditë me radhë i rezistuan kushteve ekstreme të minierës dhe presioneve politike të kohës. Për ta dokumentuar këtë Reka zbriti vet në horizontet e minierës.
Duke sfiduar kushte e kohës, ai nxori në dritë të vërtetën e grevës e cila pastaj u pasqyrua edhe në mediat ndërkombëtare. Reka: Greva që lëkundi themelet e ish- Jugosllavinë Fotografi Hazir Reka, autori i ekspozitës ka thënë për KALLXO.com se greva e minatorëve e mbajtur në vitin 1989 është mbajtur në mbrojtje të autonomisë së Kosovës.
“Me këtë grevë fillon shkatërrimi i Jugosllavisë”- tha ai Nga dita e parë e grevës e deri në përfundim, Reka përmes objektivit të aparatit të tij shpërfaqte gjithë atë çfarë ndodhte me grevistët në kushtet e rënda që mbretëronte në horizontet e minierës.
“Ishin hapësira të vogla, me probleme me ajrosje, ishin diku mbi 500, dhe kur u kry greva diku 180 minatorë u mjekuan në një spital të improvizuar”- tha ai. Përmes fotografive të tij, edhe në ato kushte të vështira, Reka rrëzoi çdo keqinformim dhe raportim denigrues për grevën.
Xharra: Reka, thesar kombëtar Ndërkaq, Jeta Xharra, gazetare, producente e “Reporting House” tha për KALLXO.com se autori i kësaj ekspozite është një thesar kombëtar. Sipas saj, përmes kësaj ekspozite, Reka po na shpërfaq një koleksion të rrallë të fotografie të viteve 1980-ta. Sipas saj, Reka është prej fotografëve të rrallë që çdo ditë e ka përcjellë grevën e minatorëve.
“Ai është i jashtëzakonshëm, jo pse i ka fotografuar minatorët gjatë grevës, por i ka ruajtur dhe është kujdesur që ne sot të dimë për atë periudhë përmes fotografive të tij”- tha ajo. Madhështinë kësaj ekspozite, sipas Xharrës ia shton edhe shtëpia ku është hapur ekspozita, Vila 1925, pronë e Gazmend Abrashit, djalit të ish drejtorit gjeneral të Trepçës në kohën e grevës, Aziz Abrashit.
“Gati 40-vjet pas grevës ne e kemi trashëgimtarin e udhëheqësit të Trepçës që ishte bashkë me minatorë në grevë, ish- i burgosur dhe Hazir Rekën, të dy këta janë kontribuuesit në memorien kolektive të popullit tonë”- tha ajo. Dokumentuesi i historisë Reka është një ndër fotografët dhe fotoreporterët më të shquar të Kosovës.
Karriera e tij është e lidhur ngushtë me dokumentimin e ngjarjeve të rëndësishme historike dhe shoqërore të Kosovës, që nga vitet 1980-ta. Fotografitë e tij janë bërë dëshmi autentike e një epoke dhe pjesë e kujtesës kolektive të Kosovës. Fotografitë e Rekës janë ekspozuar në ekspozita të shumta si brenda dhe jashtë vendit.
Ekspozita ‘Dalja n’ dritë’ do të qëndrojë e hapur deri të shtunën, më 4 korrik.
