Një incident i rëndë është shënuar mesditën e së enjtes në qendër të Vushtrrisë, ku një zyrtar policor, ndonëse jashtë detyrës zyrtare, dyshohet se është kanosur me vrasje dhe i është dëmtuar telefoni mobil, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në sheshin “ Hasan Prishtina ”, kur automjeti i zyrtarit policor ishte bllokuar nga një veturë tjetër.
Sipas burimeve, pasi zyrtari ishte prezantuar me kartelën zyrtare dhe i kishte kërkuar drejtuesit të automjetit ta lironte rrugën, i dyshuari Përparim Meholli rreth 30 vjeç e kishte ofenduar, më pas ia kishte marrë telefonin nga dora dhe e kishte përplasur në tokë, duke e dëmtuar. Pas shoqërimit në Stacionin Policor në Vushtrri, situata dyshohet se është përshkallëzuar edhe më tej.
Gjatë kontrollit trupor, i dyshuari u është drejtuar zyrtarëve policorë me fjalë kërcënuese, duke deklaruar se, po ta kishte pasur armën me vete, do ta kishte vrarë policin, ndërsa ka pretenduar se e di edhe identitetin dhe vendbanimin e tij.
Pavarësisht se është pyetur disa herë nga zyrtarët policorë nëse ishte i vetëdijshëm për deklaratat e tij, i dyshuari, sipas burimeve, ka insistuar se e dinte çfarë po thoshte. Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar për veprat penale “ Kanosje ” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” , ndërsa Përparim Meholli është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për rastin janë në vazhdim. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
