Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët dyshohen për shitje dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve në Suharekë. Njëri prej tyre akuzohet edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve.
Sipas Prokurorisë, aktakuza është ngritur në Departamentin e Krimeve të Rënda ndaj S.K., A.K., F.F., L.A., A.F. dhe D.G., për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa ndaj A.K. edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, S.K. më 29.01. 2026 në Suharekë kishte poseduar, pa autorizim dhe me qëllim shitjeje, 30 qese me marihuanë dhe mbetje të kësaj substance. Pas ekspertizës forenzike, u konstatua se substanca përmbante kanabis (THC), me peshë neto prej rreth 26.6 gramësh. Prokuroria pretendon se A.K., nga shtatori i vitit 2025 deri më , ka shpërndarë dhe ofruar për shitje kokainë.
Gjatë kontrolleve, sipas aktakuzës, janë sekuestruar rreth 465 gramë marihuanë, rreth 3.3 gramë kokainë, një substancë e lëngët e dyshuar narkotike, peshore digjitale, një grinder dhe 2,200 euro para të gatshme.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, në lokalin e A.K.-së është gjetur një pistoletë e tipit M57, një karikator dhe katër fishekë të kalibrit 7.62 milimetra, të cilat dyshohet se mbaheshin pa autorizim. Aktakuza e lidh edhe F.F. me shpërndarjen e kokainës gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026.
Gjatë kontrollit, sipas Prokurorisë, atij i janë sekuestruar një peshore digjitale dhe dy automjete, të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale. Ndërkaq, L.A., A.F. dhe D.G. akuzohen se, duke vepruar në bashkëkryerje, nga shtatori deri në nëntor 2025 kanë shpërndarë dhe ofruar për shitje kokainë në lokacione të ndryshme në Suharekë dhe më gjerë.
Sipas aktakuzës, në një prej rasteve është siguruar një sasi prej mbi 300 gramësh kokainë, e cila ishte hedhur nga automjeti gjatë largimit nga vendi i ngjarjes dhe më pas ishte sekuestruar nga autoritetet. Lidhur me rastin, Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e rreth 740 gramëve substanca narkotike, përfshirë mbi 400 gramë marihuanë dhe mbi 330 gramë kokainë.
Po ashtu, është propozuar konfiskimi i një pistolete M57, një karikatori, katër fishekëve, tre automjeteve, 2,200 eurove dhe 500 frangave zvicerane, të cilat Prokuroria pretendon se përbëjnë dobi pasurore të përfituar nga veprat penale.
Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
