Javën që lamë pas, reperi i njohur Don Xhoni ka qenë në qendër të vëmendjes pas lançimit të albumit të tij më të ri të titulluar “100%”. Përpara se këngët të bëheshin publike, ai korri një sukses të madh me një fushatë tejet të veçantë marketingu, duke organizuar xhiro promovuese me makinë,në prani të figurave të njohura si Adelina Ismaili, Vedat Bajrami, Elijona e shumë të tjerë.
Ekipi i emisionit Prive By Liberta Spahiu, ishte i pranishëm në eventin e promovimit të albumit, duke siguruar detaje nga prapaskenat dhe nga jeta personale e reperit. Përtej suksesit të albumit, kurioziteti i madh kishte të bënte me ish-banoren e BBVA Loredana Brati.
Duke parë që shumë fytyra publike u bënë pjesë e videos në makinë, ai u pyet se pse nuk pati një video të tillë edhe me Lorin. “Lori është shumë mirë, shumë ‘nice’. Kam shumë respekt për të. Raporti sot me të është shumë i mirë, është shumë vajzë e mirë dhe ia uroj të gjitha të mirat,” u shpreh reperi, duke treguar se mes tyre ka mbetur një miqësi e pastër.
Kujtojmë se Don Xhoni dhe Loredana ishin kryefjala e mediave rozë gjatë verës që lamë pas. Dyshja u përfol gjerësisht për një afrimitet të mundshëm që shkonte përtej shoqërisë. Ngacmimet dhe komentet e shpeshta me njëri-tjetrin në Instagram, të ndjekura nga një video e përbashkët që qarkulloi me shpejtësi në rrjet, ndezën menjëherë dyshimet e fansave.
Megjithatë, siç konfirmohet edhe nga deklarata e fundit e artistit, gjithçka duket se ka mbetur vetëm në kuadrin e thashethemeve dhe respektit reciprok.
