Blerta Haxhiu Shpërndaje në: Forcat e sigurisë së Pakistanit njoftuan se kanë vrarë të paktën 29 militantë gjatë operacioneve tokësore dhe sulmeve ajrore pranë kufirit me Afganistanin. Nga ana tjetër, autoritetet afgane të udhëhequra nga talebanët thonë se nga këto sulme kanë humbur jetën të paktën 38 civilë, raporton Reuters.
Sulmet ajrore të së dielës janë hera e dytë që Pakistani godet objektiva në territorin afgan, të cilat i konsideron si baza të grupeve të armatosura. Këto zhvillime rrezikojnë të përkeqësojnë edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve, pas përplasjeve të ashpra që patën në muajin shkurt.
Ministri pakistanez i Informacionit, Attaullah Tarar, tha se avionët ushtarakë goditën tri objektiva në provincat afgane Paktia, Paktika dhe Kunar. Sipas tij, gjatë sulmeve u vranë 25 militantë dhe u shkatërruan sasi të mëdha armësh dhe municionesh.
Ai shtoi se katër militantë të tjerë, të lidhur me grupin Jamaat-ul-Ahrar, u vranë gjatë një operacioni tokësor në distriktin Bajaur, në provincën pakistaneze Khyber Pakhtunkhwa. Ndërkohë, zëdhënësi i qeverisë afgane, Hamdullah Fitrat, tha se sulmet shkaktuan vdekjen e 38 civilëve dhe plagosjen e 163 të tjerëve, mes tyre gra dhe fëmijë.
Sipas tij, numri më i madh i viktimave u regjistrua në provincën Paktia, ku një bombardim goditi një shtëpi, duke vrarë 28 persona dhe plagosur 158 të tjerë. Zëvendësshefi i distriktit Samkani, Khalid Ahmad Sajad, tha se banorët po ndihmonin të plagosurit kur avionët pakistanezë kryen një sulm të dytë në të njëjtin vend.
“Ndërsa njerëzit po përpiqeshin të shpëtonin të plagosurit, forcat ushtarake pakistaneze goditën sërish të njëjtin lokacion”, deklaroi ai në një konferencë për media.
Nga ana tjetër, ministri pakistanez Tarar, tha se operacioni ishte përgjigje ndaj disa sulmeve të fundit terroriste, përfshirë një sulm me bombë dhe armë zjarri të kryer të shtunën nga grupi Jamaat-ul-Ahrar ndaj një objekti të forcave Sindh Rangers në qytetin Karachi. Në atë sulm u vranë tre ushtarë dhe katër të tjerë u plagosën.
Sipas tij, forcat pakistaneze goditën me saktësi kampet dhe strehët e militantëve. Islamabadi vazhdon të akuzojë autoritetet afgane se strehojnë militantë që organizojnë sulme në Pakistan. Talebanët afganë i mohojnë këto akuza dhe thonë se problemi i militantizmit është një çështje e brendshme e Pakistanit.
