Deficiti tregtar u rrit me 4%, ekonomistët kërkojnë mbështetje

0%

Rritja e deficitit tregtar të Kosovës gjatë muajit maj 2026 po konsiderohet si pasojë e mungesës së mbështetjes institucionale për sektorin privat, kostove të larta të prodhimit dhe orientimit gjithnjë e më të madh të ekonomisë drejt importeve.

Njohësit e ekonomisë, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, dhe ekonomisti Bashkim Mustafa, vlerësojnë se pa politika konkrete për stimulimin e prodhimit vendor dhe eksportit, vendi do të vazhdojë të thellojë varësinë nga importi.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), deficiti tregtar në muajin maj 2026 u rrit për 4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 544.4 milionë euro, nga 523.4 milionë euro sa ishte në maj 2025. Eksportet mbuluan vetëm 14.7 për qind të importeve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një intervistë për EO e tha se sektori privat po përballet me sfida të shumta, ndërsa sipas tij mungon mbështetja institucionale dhe promovimi i prodhimeve vendore. “Sektori privat është duke u ballafaquar me sfida të shumta. Në rend të parë, mungon një mbështetje institucionale, qoftë në mënyrë direkte, qoftë indirekte.

Në rend të dytë, kemi një vakum diplomatik, ku vërtet, në vend që të promovohen vlerat e prodhimeve dhe shërbimeve ‘Made in Kosova’, ata merren me zgjedhje dhe me agjenda politike. Dhe, definitivisht, situata aktuale në Kosovë është më se shqetësuese, gjë që rëndohet edhe nga fakti që Kosova çdo ditë e më tepër po e vulos fatin e dënimit për të qenë shtet i varur nga importi.

Prandaj, është krijuar ky luks që ne mund të jetojmë nga importi. Nuk kemi një trajtim të mirëfilltë për të promovuar prodhimet dhe shërbimet vendore. Fati i diplomacisë ekonomike në Kosovë shumë më tepër ka mbetur në dorë të bizneseve sesa në dorë të institucioneve dhe kjo është vërtet goditja më e madhe”, tha ai.

Gërxhaliu tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe problemet me furnizimin kanë ndikuar drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e prodhimeve kosovare. “Prandaj, nuk duhet të na habisë fakti që sot jemi vërtet një shoqëri e varur, ku krahas importit të produkteve, importojmë edhe inflacion të heshtur.

Dhe kur krejt kësaj i shtohet fakti që me ngritjen e çmimit të energjisë dhe me këtë mungesë që po ndodh sa i përket furnizimit me energji elektrike, prodhimet dhe shërbimet e Kosovës kanë rënë në konkurrencë dhe nuk janë konkurrente në tregjet evropiane. Është vërtet shqetësimi më i madh.

Këtë e thotë diaspora, e cila në të kaluarën është furnizuar me shumë prodhime ‘Made in Kosova’, por tani, falë krejt kësaj që është duke ndodhur në Kosovë, prodhimet e Kosovës nuk janë konkurrente në tregun evropian. Ata furnizohen nga Polonia, Hungaria, Bullgaria, Spanja e Portugalia e jo nga Kosova.

Prandaj duhet vërtet të jenë të orientuar në mbështetje ekonomike të sektorit privat, mbështetje të sektorit prodhues dhe vetëm atëherë mund të kemi trende pozitive që mund të ndikojnë në përmirësimin e bilancit të pagesave.

Kur krejt kësaj i shtohet fakti që sot nuk kemi investitorë të huaj apo fare pak investime nga diaspora, besoj që është një momentum që duhet të na orientojë më tepër për stabilitet politik, për diplomaci ekonomike dhe për tërheqjen e investitorëve apo investimeve të huaja, qoftë nga diaspora, qoftë nga brendet ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Duke folur për rritjen e importeve, përfshirë edhe ato nga Serbia, ai tha se bizneset udhëhiqen nga logjika ekonomike. “Jo vetëm nga Serbia, rritja e importit është vërtet evidente nga viti në vit. Në këtë drejtim duhet të kuptohet që në një biznes emocionet janë dytësore, racionaliteti ekonomik dhe kalkulimet janë vendimtare.

Vetë fakti që i njëjti mall i importuar nga Austria apo Gjermania koston e transportit e ka 2 mijë e 800 deri në 3 mijë euro, ndërsa i njëjti prodhim nga Serbia e ka vetëm 500 euro, është arsyeja e parë. E dyta, mos harroni që brendet më të mëdha evropiane janë të fokusuara dhe të orientuara në përfaqësitë e tyre në Serbi.

Në këtë drejtim, kur analizohet struktura e prodhimeve, shumë pak janë prodhime njëqind për qind serbe. Janë shumë më tepër brende evropiane dhe ndërkombëtare që janë aktive në Serbi dhe ato produkte, qoftë si finale, qoftë si gjysmëprodukte, të cilat inkorporohen në prodhimet kosovare, janë të importuara.

T’i thuash dikujt që ne importojmë lëndë të parë për mobileri, kur mobilerinë e kemi sektorin më të zhvilluar, apo që importojmë lëndë të parë për paketimin e pijeve freskuese apo pijeve energjetike dhe shumë gjysmëprodukte të tjera që inkorporohen në prodhimin final në Kosovë, është realitet i kohës.

Mirëpo, besoj që në aspektin e partneritetit rajonal ne duhet shumë më tepër të bëjmë në drejtim të fuqizimit të prodhimit vendor dhe jo gjithmonë të jemi ata që në emër të patriotizmit e kalkulojnë kah importon lëndë të parë dhe prodhime biznesi kosovar”, theksoi Gërxhaliu, për EO.

Edhe ekonomisti Bashkim Mustafa e lidh rritjen e deficitit tregtar me mungesën e politikave që mbështesin prodhimin vendor. “Mungesa e politikave të duhura dhe adekuate për të stimuluar bizneset vendore dhe për të përkrahur prodhimin vendor ka bërë që tregtarët dhe bizneset ta kenë më të lehtë të blejnë dhe të importojnë produkte sesa të prodhojnë dhe të zgjerojnë zinxhirin e prodhimit.

Pse ndodh kjo? Sepse kostot operative të bizneseve janë rritur. Janë rritur çmimet e energjisë elektrike, është rritur kostoja e fuqisë punëtore dhe është rritur çmimi i derivateve në muajt e fundit. Kjo bën që bizneset e Kosovës të mos jenë konkurruese me ato të huaja. Ato fitojnë më lehtë dhe më shumë duke importuar mallra dhe shërbime sesa duke prodhuar.

Për eksport, pothuajse nuk mund të flitet”, deklaroi Mustafa. Ai shtoi se qeveria e ardhshme duhet ta ketë prioritet krijimin e politikave fiskale që ndihmojnë prodhuesit dhe eksportuesit.

“Hapat e parë të qeverisë së ardhshme, kushdo që ta formojë atë, duhet të jenë një analizë e mirëfilltë e gjendjes së bizneseve dhe krijimi i politikave të duhura fiskale, të cilat do t’i stimulojnë bizneset prodhuese dhe ato që kanë potencial eksporti.

Këto biznese duhet të mbështeten dhe subvencionohen në forma të ndryshme, qoftë përmes uljes së kostos së energjisë elektrike, qoftë përmes subvencionimit të kostos së fuqisë punëtore. Duhet të gjenden politika të duhura, në mënyrë që të shpëtohen edhe këto pak biznese prodhuese që kanë mbetur në vend” , tha Mustafa.

Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në maj 2026 arriti në 94.1 milionë euro, ndërsa importi në 638.6 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, eksportet u rritën për 15.7 për qind, ndërsa importet shënuan rritje prej 5.6 për qind.

Tregtia e jashtme e Kosovës në maj 2026 u karakterizua me rritje të deficitit tregtar, ndërsa eksportet vazhduan të mbulojnë vetëm një pjesë të importeve.

“Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një rritje të deficitit tregtar prej 4,0 % në muajin maj 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 544,4 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 523,4 milion Euro në vitin 2025. Eksporti mbulon importin me 14,7 %”, njoftoi Agjencia e Statistikave e Kosovës.

Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në muajin maj 2026 kishte vlerën 94,1 milionë euro, ndërsa importi 638,6 milionë euro – që është një rritje prej 15,7% për eksport, si dhe një rritje prej 5,6% për import – duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Burimi: Bota Sot