Shumë vende përfshirë edhe vendin tone po përballen me temperatura ekstreme derisa kërkohet kujdes i shtuar për t’u mbrojtur nga vapa. Një nga gjërat më të rëndësishme gjatë një vale të nxehti është të qëndroni të hidratuar. Kur djersitni më shumë për shkak të temperaturave të larta, organizmi humbet lëngje që duhet të zëvendësohen për të shmangur dehidratimin.
Por si mund ta dalloni nëse jeni thjesht të etur apo të dehidratuar? James Morehen, nutricionist sportiv dhe ekspert i hidratimit në kompaninë e elektroliteve Vidrate, ka zbuluar shenjat e fshehura të dehidratimit dhe mënyrën se si mund të kuptoni kur situata është bërë serioze.
Si ta kuptoni nëse jeni të dehidratuar Nuk është gjithmonë e lehtë të kuptoni nëse jeni të dehidratuar, pasi shenjat mund të jenë të lehta dhe të kalojnë pa u vënë re. Për këtë arsye, është e rëndësishme t’u kushtoni vëmendje simptomave. James shpjegon: “Shenjat e dehidratimit nuk janë gjithmonë të dukshme.
Ato mund të shfaqen në formën e një dhimbjeje koke ose vështirësie për t’u përqendruar. Këto simptoma mund të ngatërrohen me lodhjen ose me lodhjen nga qëndrimi përpara ekranit. Megjithatë, nëse i përjetoni gjatë motit të nxehtë, mund të jenë një shenjë e hershme se organizmi ka nevojë për më shumë lëngje.”
Sipas ekspertit, edhe dëshira e papritur për të ngrënë ushqime të kripura ose të ëmbla mund të jetë tregues i dehidratimit. Nëse e gjeni veten duke kërkuar shpesh ushqime të tilla, mund të jetë një sinjal se organizmi po përballet me mungesë lëngjesh. James shpjegon: “Kur niveli i lëngjeve në trup bie, kjo mund të shkaktojë lodhje, të cilën organizmi mund ta interpretojë si uri.”
Një tjetër shenjë, e cila mund të jetë e pakëndshme si për ju ashtu edhe për njerëzit përreth, është era e keqe e gojës. James thotë: “Era e vazhdueshme e pakëndshme e gojës ndonjëherë është një shenjë e nënvlerësuar e dehidratimit. Kur nuk pini mjaftueshëm lëngje, organizmi prodhon më pak pështymë, e cila luan një rol të rëndësishëm në largimin e baktereve nga goja.
Me grumbullimin e baktereve krijohet një erë e pakëndshme, ndaj hidratimi i mirë ndihmon jo vetëm në ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve në trup, por edhe në shëndetin oral.” Cili është ndryshimi mes etjes dhe dehidratimit? Sipas ekspertit, etja është në fakt një shenjë e vonshme e dehidratimit. Kur filloni të ndieni etje, organizmi tashmë ka filluar të humbasë më shumë lëngje sesa duhet.
Për këtë arsye, këshillohet të pini ujë në gllënjka të vogla gjatë gjithë ditës, në vend që të prisni derisa të ndieni etje. James këshillon: “Pirja e një gote të plotë me ujë sapo zgjoheni dhe një tjetër para se të flini është një nga gjërat më të mira që mund të bëni gjatë motit të nxehtë.
Gota e ujit në mëngjes ndihmon në rihidratimin e organizmit pas një nate me djersitje, ndërsa ajo para gjumit ndihmon në rregullimin e temperaturës së trupit. Megjithatë, rekomandohet ta pini 30 deri në 45 minuta para se të flini, për të shmangur ndërprerjet e gjumit.” Ai thekson gjithashtu se duhet të vazhdoni të pini ujë rregullisht gjatë gjithë ditës. Sa ujë duhet të pini?
James shpjegon: “Rekomandohet të konsumohen gjashtë deri në tetë gota ujë në ditë. Megjithatë, gjatë motit shumë të nxehtë kjo sasi mund të rritet deri në rreth tre litra në ditë, veçanërisht nëse jeni fizikisht aktivë ose kaloni shumë kohë jashtë. Një mënyrë e thjeshtë për të kontrolluar nëse jeni të hidratuar mjaftueshëm është të vëzhgoni ngjyrën e urinës.
Ajo duhet të jetë në ngjyrë të verdhë të çelët. Nëse është më e errët, ka shumë të ngjarë që organizmi juaj të ketë nevojë për më shumë ujë.”
