Eugen Cakolli nga KDI, ka thënë se me certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, nga nesër nisin të rrjedhin afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja, ka bërë të ditur Eugen Cakolli nga KDI. Sipas tij, afati 30-ditor për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit fillon më 9 korrik dhe përfundon më .
Seanca duhet të thirret nga Albulena Haxhiu në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes. Cakolli ka sqaruar se pas konstituimit të Kuvendit do të procedohet me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, ndërsa vetëm pas kësaj hapen procedurat për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit.
Ai ka theksuar se Kushtetuta nuk e kushtëzon formimin e Qeverisë me zgjedhjen paraprake të Presidentit. Postimi i plotë: Me certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, prej nesër fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja. Afati 30-ditor për mbajtjen dhe përmbylljen e suksesshme të seancës konstituive të Kuvendit fillon nesër, më 9 korrik dhe përfundon më .
Seanca duhet të thirret nga Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes. Nëse kjo nuk ndodh brenda afatit, Kuvendi mblidhet vetë në ditën e tridhjetë. Para seancës, Albulena Haxhiu, në cilësinë e Kryetares së legjislaturës paraprake, duhet ta thërrasë mbledhjen përgatitore me kryetarët e 15 subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend.
Kjo mbledhje mbahet jo më vonë se pesë ditë para seancës konstituive dhe shërben për përgatitjen e rendit të ditës dhe caktimin e vendeve ku do të ulen deputetët në sallë, sipas subjekteve politike. Seancën konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, do ta drejtojë deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga LVV, i ndihmuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi nga KDTP.
Rendi i punës është veçse i paracaktuar. Fillimisht formohet Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve, raporti i të cilit votohet me shumicë votash; pastaj bëhet betimi i deputetëve; më pas votohet Kryetari i Kuvendit dhe, në fund, nënkryetarët e Kuvendit. Kryetari i Kuvendit propozohet nga LVV, si subjekti më i madh parlamentar, dhe zgjidhet me së paku 61 vota.
Nëse i njëjti kandidat nuk i merr votat pas tri tentimeve, duhet të propozohet kandidat tjetër. Votimi për Kryetarin duhet të jetë i hapur, përveç nëse ka konsensus për ndryshim të mënyrës së votimit. Pas zgjedhjes së Kryetarit, Kuvendi vazhdon me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve. Tre propozohen nga tri subjektet më të mëdha parlamentare, LVV, PDK dhe LDK.
Një propozohet nga deputetët e komunitetit serb, përkatësisht nga LS, ndërsa një nga deputetët e komuniteteve të tjera jo-shumicë. Të gjithë zgjidhen me së paku 61 vota. Parimisht, nënkryetarët duhet të votohen në pako.
Së paku tre nënkryetarët e propozuar nga subjektet më të mëdha parlamentare mund të votohen në një votim, ndërsa dy nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë në një votim tjetër. Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur Kryetari dhe të pesë nënkryetarët.
Vetëm pas konstituimit të plotë të Kuvendit hapen dy procedura të ndara kushtetuese, ajo për formimin e Qeverisë dhe ajo për zgjedhjen e Presidentit. Këto procedura nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe as Kushtetuta, as aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk e kushtëzojnë formimin e Qeverisë me zgjedhjen paraprake të Presidentit.
